Gjatë ditës kishte reduktimet e rrymës, thirrje për kursim të energjisë elektrike
Foto: Laura Hasani

Gjatë ditës kishte reduktimet e rrymës, thirrje për kursim të energjisë elektrike

Ekonomia January 14, 2026 - 19:31

Zhurma e gjeneratorit pushtoi rrugët.

Kjo pasi e mërkura, zbardhi në mungesë të energjisë elektrike për kryeqytetin dhe disa komuna të Kosovës.

Reduktimet disa orëshe, disa herë brenda ditës, u paralajmëruan qysh një ditë më parë.

Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike, reduktimet janë të domosdoshme për ta ruajtur stabilitetin e sistemit pasi që janë duke operuar me disbalanca të mëdha e të vazhdueshme.

“Për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar. Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E. Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative”, thuhet nga KOSTT.

Reduktimet e KOSTT, rezultojnë të jenë pasojë e mossigurimit të sasisë së mjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO.

Sipas këtij institucioni, sigurimi i rrymës është vështirësuar nga konsumi i lartë i rrymës dhe kapacitetet e kufizuara ndërkufitare.

“KESCO njofton konsumatorët se gjatë ditëve të fundit sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me një situatë të jashtëzakonshme, si pasojë e rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, e cila aktualisht nuk mund të mbulohet plotësisht nga prodhimi vendor. Për shkak të kësaj rritjeje, KESCO është e detyruar të sigurojë rreth 50% të energjisë elektrike përmes importit, në kushte shumë të vështira të tregut rajonal dhe ndërkombëtar. Aktualisht, kapacitetet ndërkufitare janë të kufizuara dhe kjo po krijon presion të madh në sigurimin e sasive të nevojshme”, ka njoftuar KESCO.

Në bazë të paralajmërimeve, reduktimet do të ketë për dy ditë rresht.

E gjithë kjo situatë, vlerësohet se vjen si pasojë e mosplanifikimit të furnizimit me energji elektrike, sidomos gjatë sezonit të dimrit, ku konsumi është më i lartë.

“KESCO duhet ta bëjë planifikimin e furnizimit dhe të mbulimit të konsumit për Kosovën. Kurse për balancën energjetike përgjegjës është KOSTT. Në këtë situatë siç e dijmë edhe prej mediave ka rënë Blloku B1 me fuqi diku 250-260 MË neto, pra që jep në sistemin energjetik transmetues. Dhe faktikisht KOSTT në rastet e rënieve të papritura i ka shërbimet e veta të shërbimit terciar, por edhe ky shërbim është i kufizuar, çka do të thotë se nuk mund të sigurohet në pafundësi. Këto penalitete duhet të shikohen tek KESCO dhe KEK”, thotë njohësi i energjetikës, Vezir Rexhepi.

Lidhur me reduktimet e energjisë, me reagim kanë dalë edhe nga Dhoma e Tregtisë, duke kërkuar veprime të menjëhershme për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë./teve1