Importet e Kosovës shtatë miliardë euro - Serbia, Italia e Gjermania udhëheqin listën

Importet e Kosovës shtatë miliardë euro - Serbia, Italia e Gjermania udhëheqin listën

Ekonomia January 13, 2026 - 08:05

Kosova ka shpenzuar rreth 7 miliardë euro për importet, duke treguar sërish varësinë e saj nga furnizuesit e jashtëm. Në krye të listës qëndrojnë Serbia, Italia dhe Gjermania, nga të cilat vijnë shumica e mallrave që plotësojnë nevojat e qytetarëve dhe biznesit kosovar.

Kosova po vazhdon të rritë varësinë nga mallrat e importuara, duke çuar deficitin tregtar në nivele të larta.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2025, vendi ka importuar mallra në vlerë rreth 7 miliardë euro, ndërsa vlera e eksportit ishte vetëm 929 milionë euro.

Kjo tregon një diferencë të madhe mes importeve dhe eksporteve.

Për krahasim, gjatë vitit 2024 vlera e importit ishte 6.38 miliardë euro, ndërsa në vitin 2023 ishte 5.878 miliardë euro.

Sipas të dhënave, top 10 partnerët tregtarë të Kosovës për import janë:

Gjermania – 1 miliard euro

Turqia – 926 milionë euro

Kina – 920 milionë euro

Italia – 368 milionë euro

Maqedonia e Veriut – 350 milionë euro

Shqipëria – 286 milionë euro

Greqia – 279 milionë euro

Polonia – 273 milionë euro

Serbia – 234 milionë euro

India – 185 milionë euro

Në vitin 2024, Turqia kishte qenë partneri kryesor për import, ndërsa Gjermania në vendin e dytë.

Kurse, sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës për periudhën janar–dhjetor 2025, të cilat i ka parë dhe analizuar Demokracia.com, importet nga Serbia kanë arritur vlerën e mbi 202.7 milionë eurove. Një vit më parë, në 2024, kjo shifër ishte vetëm 109.2 milionë euro.

Kjo do të thotë se brenda vetëm një viti, importet nga Serbia janë rritur për mbi 93 milionë euro, ose rreth 86 për qind, duke shënuar rritjen më të madhe nga të gjitha vendet e CEFTA-s.

Nëse në vitin 2024 Serbia ishte një furnizues dytësor, në vitin 2025 ajo shndërrohet në një aktor kyç të tregtisë së jashtme të Kosovës, duke u renditur menjëherë pas Maqedonisë së Veriut dhe duke lënë pas Shqipërinë.