Kuvendi i Gjilanit miraton buxhetin 2026 prej afër 42 milionë eurove

Kuvendi i Gjilanit miraton buxhetin 2026 prej afër 42 milionë eurove

Ekonomia January 09, 2026 - 14:35

Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka miratuar buxhetin për vitin 2026 në vlerë prej 41.928.924 eurove, në një seancë të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku.

Buxheti u miratua me 33 vota për dhe asnjë kundër.

Shtyllat kryesore të buxhetit u prezantuan nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili theksoi se buxheti i vitit 2026 arrin shumën prej afër 42 milionë euro dhe synon mbështetjen e projekteve zhvillimore dhe investimeve kapitale në komunë.

Gjatë debatit, përkrahje për buxhetin shprehën paraprakisht asambleistët Besnik Shala (VV), Nazim Gagica (AAK) dhe Naser Arifi (Guxo), duke paraqitur njëkohësisht edhe kërkesa specifike për investime komunitare. Ndërkaq, opozita, përfaqësuar nga Gentrit Murseli (LDK) dhe Riad Rashiti (PDK), paraqiti kritika dhe vërejtje, duke kushtëzuar votimin e buxhetit me përfshirjen e dhjetëra projekteve komunitare.

Pas takimeve me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryetari Hyseni bëri të ditur se janë dakorduar që tetë nga 20 kërkesat e LDK-së të inkorporohen në buxhet, në vlerë prej 764 mijë euro, si dhe të përfshihet edhe kërkesa e partisë Guxo për rregullimin e parkut në Miresh. Sa i përket kërkesave të PDK-së, me theks të veçantë për projektin e varrezave të qytetit, u pajtuan që të inkorporohen përmes bartjes së buxhetit në muajin shkurt, përkatësisht për rritjen e buxhetit për këtë projekt.

Në seancë kontribuuan me kërkesa, kritika dhe rekomandime edhe asambleistët Muhadin Haziri, Sami Ahmeti, Bujar Nevzati, Fitim Guda, Fatos Ramadani, Lirësë Kosumi, Burhan Isufi, Gresa Avdiu dhe Bujar Nevzati.

Po ashtu, gjatë seancës së sotme, betimin e dha anëtari më i ri i Kuvendit, Renan Imam, ndërsa Kuvendi zgjodhi edhe nënkryetarin për Komunitete, Kadir Hysein. /RTK