Reagon KOSTT: Materiali i publikuar u hartua për mbështetje të ZRRE-së
Foto: Laura Hasani

Reagon KOSTT: Materiali i publikuar u hartua për mbështetje të ZRRE-së

Ekonomia January 05, 2026 - 19:11

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka reaguar ndaj raportimeve në media lidhur me një dokument të përmendur së fundmi, duke sqaruar se bëhet fjalë për një dokument pune me natyrë informuese.

Në sqarimin për publikun, KOSTT thekson se dokumenti është hartuar brenda mandatit të institucionit dhe ka për qëllim mbështetjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në ushtrimin e përgjegjësive të saj ligjore. Sipas KOSTT-it, materiali përmban të dhëna dhe tregues relevantë për periudhën e analizuar, duke përshkruar funksionimin e tregut të shfrytëzimit të kapaciteteve ndërkufitare dhe sjelljen e palëve tregtare.

“Dokumenti është i natyrës informuese dhe nuk përmban konkluzione për manipulim të çmimeve apo të tregut”, thuhet në sqarimin e KOSTT-it.

Institucioni ka bërë të ditur se, për shkak të interpretimeve të ndryshme të këtij materiali në disa media, ka vlerësuar të domosdoshme të sqarojë natyrën e dokumentit, me qëllim informimin e saktë dhe të drejtë të opinionit publik.

KOSTT po ashtu ka njoftuar se i ka vënë në dispozicion ZRRE-së të gjitha informatat dhe të dhënat relevante për t’i shërbyer procesit të vlerësimit dhe hetimit dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet kompetente, duke ruajtur standardet më të larta të transparencës dhe integritetit të tregut, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe sigurisë së furnizimit me energji.