Rryma në vitin 2025 hall për qytetarët, betejë akuzash për politikanët
Foto: Laura Hasani

Rryma në vitin 2025 hall për qytetarët, betejë akuzash për politikanët

Ekonomia January 03, 2026 - 22:07

Me paralajmërimin për ngritje të tarifave të energjisë elektrike kishte nisur viti 2025.

Mes akuzash e polemikash të ndërsjella mes akterëve politikë, e po ashtu protestave qytetare, propozimi për ngritje të tarifave për 16.1% u kthye në vendim që hyri në fuqi.

Krahas kësaj, në Mars, ZRRE-ja njoftoi se biznese me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, do të nxirren në tregun e hapur të energjisë.

Duke njoftuar ofertat për furnizim në tregun e hapur ishin së paku dy deri në tre herë më të larta, bizneset kërkuan shtyrje të procesit për një vit me qëllim të përgatitjes dhe sigurimit të kontratave më të favorshme.

Edhe në këtë rast protestat nuk prodhuan rezultatin e kërkuar, nga 1 Qershori 2025 rreth 1300 biznese u nxorën në tregun e hapur.

Tutje nisi beteja ligjore, me përfaqësues të bizneseve që bënë padi nga Rregullatorit – dhe disa vendime u nxorën.

Përfundimisht në Nëntor, Gjykata Supreme doli me aktgjykimin që shfuqizoi dhe shpalli të jashtëligjshëm dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut, por nuk e anuloi njoftimin e ZRRE-së për hapjen e tregut, duke mos e konsideruar akt nënligjor.

Aktgjykimi nuk i dha fund betejës, pasi interpretimet nga bizneset dhe ZRRE-ja janë krejt të kundërta.

Derisa Rregullatori njoftoi vijimin e procesit, bizneset paralajmëruan padi për kompensim të dëmit nga kontratat në tregun e hapur, që sipas Odës Ekonomike në gjashtë muajt e parë llogaritet të jetë rreth 30 milionë euro.

Ndërkohë që erdhën në shprehje kompanitë furnizuese në tregun e hapur, Rregullatori licencoi kompaninë MDA, e cili ishte themeluar nga Luan Dalipi, i cili është shef i kabinetit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Ky zhvillim, riktheu akuzat e partive opozitare ndaj pushtetit në detyrë për atë që e quajnë “mafia energjetike”.

Në këtë kontekst ishin akuzat nga aketerë opozitarë ndaj pushtetit të LV-së lidhur me importi e energjisë dhe lidhjet me kompaninë NOA, përkatësisht fitimet milionëshe të saj.

Më vonë, akuzat përfshin edhe tregtimin me kompaninë serbe EFT, pronë e Vuk Hamoviqit.

Për këtë, madje, pati seri konferencash herë nga njëra e herë tjetra palë.

Ndërkohë, ndërmarrjet publike të sektorit po ashtu patën sfida.

KOSTT-i mbeti pa kryeshef, pasi Bordi i Drejtorëve shkarkoi Evetar Zeqirin, lidhur me dyshimet e raportuar për keqpërdorime përfshirë në tregtimin e energjisë.

Krahas lidhjeve të drejtuesve të KOSTT-it me pushtetin, më 2025, TV Dukagjini publikoi hulumtimin që dëshmon se si kjo ndërmarrje, fshehurazi nga Kuvendi, miratoi garanci shtetërore në vlerë 6.75 milionë euro për një kompani private.

Ndërkohë, ndërmarrja kryesore e energjisë në vend, KEK as më 2025 nuk u bë me kryeshef ekzekutiv.

Ashtu siç ishte paralajmëruar para mbylljes së konkursit, kryeshef u zgjodh Ylber Batalli – por ai refuzoi të marrë detyrën për arsyet e deklaruara “personale dhe profesionale”.

Ndërsa ndërmarrja vijon të qeveriset me ushtrues detyre të kryeshefit që nga Prilli 2023, kur u arrestua e më pas suspendua Nagip Krasniqi.

Ndaj tij, ka vazhduar procesi gjyqësor lidhur me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me dy vjet vonesë, më 2025, KEK-u kreu investimet për modernizimin e turbinave në njësinë B2 të Termocentralit Kosova B.

Po ashtu, me dy vjet vonesë po vijojnë procedurat e prokurimit për rehabilitimin e thellë të njësisë A3, projekt me të cilin synohet rritja e kapacitetit prodhues të njësisë dhe jetëgjatësi prej rreth 20 vjetësh.

Investime për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese nuk pati as më 2025.

Fundi i vitit, ndërkaq, ktheu ndërprerjet e energjisë elektrike në shumë zona në gjithë vendin – të cilat KOSTT-i dhe KEDS-i quajnë “kufizime” me qëllim të uljes së ngarkesë, e jo reduktime./dukagjini