Afro 100 raste të mosdeklarimit të pasurisë, 15 zyrtarë publikë përfunduan në Prokurori
Ndonëse është obligim, megjithatë janë rreth 100 zyrtarë publikë të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë e Parandalimit për Korrupsion, e ndaj të cilëve iu janë dhënë edhe gjoba. Një rritje e lehtë vlerësohet të jetë bërë edhe për rastet e konfliktit të interesit.
Nga këta zyrtarë, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj , tregon se 15 prej tyre nuk i kanë paguar gjobat dhe ndaj të cilëve është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.
“Ne tashmë jemi në një nivel të qëndrueshëm të deklarimit të pasurisë. Kemi pasur një rritje mjaft të madhe të atyre që janë të obliguar për deklarim. Vitin e kaluar kemi pasur përgjigje më të mirë, ndërsa këtë vit kemi pasur përgjigje më të dobët. Ka pasur rreth 100 persona që nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe, fatkeqësisht për ta, të gjithë kanë pranuar gjoba, ndërsa shumica prej tyre i kanë paguar. Ata që nuk i kanë paguar janë tashmë në proces të mbledhjes së gjobave përmes punëdhënësve të tyre. Një numër prej 15 zyrtarësh janë vonuar më shumë se 15 ditë dhe ne kemi dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit. Ata do të përballen me prokurorinë për shkak të vonesave në deklarim. Jemi tashmë në fazën finale të verifikimit të pasurisë për këtë vit. Zyrtarët publikë e dinë se ky vit ka qenë viti me numrin më të madh të zyrtarëve që kanë pranuar komente nga ne – mbi 1.000 prej tyre kanë pranuar komente nga agjencia dhe janë kërkuar shpjegime shtesë. Kjo na është mundësuar nga zhvillimi i metodologjisë që e kemi bërë me Këshillin e Evropës. Metodologjia e verifikimit është më e avancuar dhe, rrjedhimisht, kemi gjetur më shumë mospërputhje dhe kemi kërkuar më shumë shpjegime. Nuk mund të flas për rezultatin final dhe për numrin e rasteve që mund të dërgohen si kallëzime penale apo informata në polici apo prokurori, por këtë vit me siguri zyrtarët publikë e kanë ndier më afër punën e agjencisë”, tha Buleshkaj në një intervistë për Ekonomia Online.
APK gjatë 2025-ës vlerësojnë të kenë pasë një rritje prej 50 për qind nga viti paraprak sa i përket sinjalizimit të konfliktit të interesit.
“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka zhvilluar mjaft aktivitete, të cilat kanë pasur për synim parandalimin e korrupsionit. Kemi zhvilluar aktivitete me zyrtarë publikë, sepse kemi vërejtur se ka nevojë të flitet me ta dhe të ngritet vetëdija e tyre, sidomos për atë se çfarë është konflikti i interesit, si mund të përdoret mekanizmi i sinjalizimit, por edhe për rëndësinë e planit të integritetit në kryerjen e punëve të institucioneve dhe në ruajtjen e integritetit të tyre. Ne besojmë se këtë vit kemi qenë më mirë se vitin e kaluar; rrjedhimisht janë pranuar dhe raportuar më shumë shkelje, të cilat janë identifikuar në secilin proces. Kemi pasur rritje të raportimeve në secilën fushë tonën, duke filluar nga sinjalizimet, të cilat janë rritur për 50% në raport me vitin paraprak. Po ashtu, këtë vit kemi pasur raportime më kualitative sa i përket sinjalizimit të vërtetë të konfliktit të interesit, si dhe nga palët e jashtme, të cilat kanë identifikuar pasuri të zyrtarëve publikë që nuk janë deklaruar. Rrjedhimisht, besojmë se ka qenë një vit më i mirë se viti paraprak dhe shpresojmë që viti i ardhshëm të jetë edhe më i mirë”, tha ai.
APK dërëzoi 130 kallëzime penale por jo të gjitha kanë të bëjnë më deklarim të pasurisë. Buleshkaj gjatë intervistës tregoi se ka të bëjë edhe me rastet që lidhen me konflikt interesi të zyrtarëve publikë.
“Këtë vit kemi dorëzuar mbi 130 kallëzime penale. Jo të gjitha kanë qenë të lidhura me deklarimin e pasurisë; kemi pasur një numër të caktuar edhe për konfliktin e interesit. Rreth pesë raste kanë qenë të lidhura me vendimmarrjen në konflikt interesi të zyrtarëve publikë, qoftë duke qenë pjesë e paneleve të rekrutimit, qoftë për përfshirje në punësim pas lirimit nga funksioni publik, pasi ekziston ndalesë dyvjeçare për të marrë punë nga punëdhënësi tek i cili është ushtruar funksioni drejtues. Po ashtu, kemi pasur kallëzime penale për konflikt interesi në procedurat e vlerësimit të tenderëve të ndryshëm. Kemi rritje, sepse më herët numri i kallëzimeve penale për këto procedura ka qenë pothuajse zero, ndërsa këtë vit kemi verifikuar më shumë”, tha ai.
Mirëpo Buleshkaj ka nënvizuar se shumica dërmuese e kallëzimeve penale për deklarim të pasurisë janë hedhur poshtë nga prokuroria.
Këtu janë dy fusha të ndryshme. Nëse flasim për kallëzimet penale që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë, ato nuk janë trajtuar siç duhet. Shumica dërrmuese e tyre janë hedhur poshtë nga prokuroria, duke u thirrur në një vendim të kundërligjshëm, sipas nesh, të Gjykatës Supreme, i marrë vitin e kaluar. Ndërsa për fushat e tjera, ka pasur trajtim adekuat”, shtoi Buleshkaj.
Ndërsa për rastet me konflikt interesi, Drejtori i departamentit për parandalimin e konflikt interesi në APK, Esad Ejupi për Ekonomia Online thotë se mënyra më e mirë për t’i parandaluar ato, është nëse raportohen në kohë.
“Numri i rasteve me konflikt interesi, fatmirësisht, nuk është rritur shumë, por adresimet në agjenci janë shtuar, dhe kjo na gëzon, pasi na mundëson t’i parandalojmë rastet. Sa më shumë që ka adresime në agjenci për parandalimin e konfliktit të interesit, aq më shumë ato parandalohen. Ne vazhdojmë me strategjinë që kemi, e cila është forcimi i autoriteteve përgjegjëse në institucione, sepse mënyra më e mirë për parandalimin e konfliktit të interesit është që situatat e konfliktit të interesit të deklarohen me kohë dhe të parandalohen në burim, siç themi ne. Në këtë mënyrë, dëmet janë më të vogla, nuk ka vendimmarrje me konflikt interesi dhe nuk ka pasoja juridike. Prandaj, fokusi ynë është që t’i forcojmë autoritetet përgjegjëse nëpër institucionet publike. Përfshirja është në të gjitha fushat, sepse konflikti i interesit lidhet me vendimmarrjen, dhe vendimmarrje ka në të gjitha institucionet publike. Tash për tash nuk kam numra të saktë se ku ka më shumë e ku më pak raste, mirëpo përgjithësisht të gjitha institucionet kanë situata që lidhen me konfliktin e interesit dhe i adresojnë ato tek ne”, tha ai.
Për mundësinë e ushtrimit të presionit nga faktor të jashtëm për mos trajtim të rasteve. Ejupi potencoi se për sa kohë që ushtron detyrën një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Jam prej vitesh në agjenci dhe, as personalisht e as institucionalisht, nuk di që kemi pasur presion nga jashtë. Në këtë aspekt gëzojmë besim, i cili është rritur, ndërsa presion nuk ka pasur”, shtoi ai.