Kurti: Investimet dhe ristrukturimi në Telekom po japin rezultate
Foto: Laura Hasani

Kurti: Investimet dhe ristrukturimi në Telekom po japin rezultate

Ekonomia December 31, 2025 - 11:08

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar edhe Telekomin e Kosovës.

Me këtë rast, Kurti tha se gjatë tre vjetëve të fundit Telekomi ka shënuar performancë pozitive financiare.

I pari i Qeverisë theksoi se e kanë përkrahur këtë ndërmarrje dhe se janë të interesuar që Telekomi të zgjerojë shërbimet.

“Për tre vjet, Telekomi po shënon rezultate dhe këto shifra flasin shumë. Në vitin 2024 mbi 7 milionë euro fitim, sivjet rreth 10 milionë euro fitim. Për tre vjet, Telekomi ka performancë pozitive financiare. Telekomi është lider në shërbimet e telefonisë mobile. E ka mbuluar vendin me 4G dhe 5G dhe i ofron publikut përmbajtje atraktive. Pasqyrat financiare tregojnë se ristrukturimi i brendshëm ka dhënë rezultate. Këto investime që po i bën operatori publik e kanë kthyer Telekomin në vendin që i takon. Qeveria është e interesuar që operatori të zgjerojë shtrirjen e shërbimeve. Ne jemi këtu, bashkë, të shtetit, për qytetarin. Shërbimi publik është në qendër të asaj që mendojmë. Jemi të interesuar të kemi shërbime edhe për shtresat e cenuara”, ka deklaruar ai.

Image

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se presin që fitimi i Telekomit të shkojë në 25 milionë euro.

“Telekomi, në qeverisjet e kaluara, ka pasur rreth 150 milionë euro humbje. Ndërsa, deri në fund të vitit, pritet që të ketë 25 milionë euro fitim. Ne e përkrahim Telekomin për ta nxjerrë nga humnera ku kishte ardhur, bashkë me ndërhyrjet politike”, ka shtuar Rizvanolli. /rtk

Image