Posta e Kosovës me 1 milion euro fitim, Kurti: S’ka më operime ilegale
Foto: Laura Hasani

Posta e Kosovës me 1 milion euro fitim, Kurti: S’ka më operime ilegale

Ekonomia December 31, 2025 - 11:07

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar Postën e Kosovës.

Pas vizitës, i pari i ekzekutivit tha se Posta e Kosovës po e përmbyll një vit të suksesshëm me rreth një milion euro fitim.

Ai tha se në Kosovë nuk operon më Posta e Serbisë e dinari nuk është mjet pagese.

"Bashkëbiseduam për sukseset e kësaj ndërmarrje publike e cila këtë vit po e mbyll me rreth 1 milionë euro fitim, pas vitit të kaluar kur kishte afër 300 mijë euro fitim. Posta e Kosovës i ka rreth 850 punëtorë, nga të cilët më shumë se gjysma janë postierë apo sportelistë. Përveç kësaj është për t’u përshëndetur fakti që po zgjerohet rrjeti i zyrave dhe i shërbimeve postare. Gjithsej i ka 166 zyre në Kosovë, prej të cilave 16 janë në veri të Ibrit në Republikën e Kosovës. Janë ndërprerë rrjedhjet financiare, janë shuar strukturat ilegale, nuk operon më në Kosovë as posta e Serbisë dhe as kursimorja postare e Serbisë. Dinari nuk është më mjet pagese dhe nuk ka pasur vakuum, sepse Posta e Kosovës ishte aty që t’i ofrojë të gjitha shërbimet të cilat dikush konsideronte se mund të mungojnë atëherë kur ndërpritet ilegaliteti që kishim në të kaluarën”, tha Kurti.

Ai ka përgëzuar menaxhmentin, bordin, por edhe të gjithë punëtorët e Postës së Kosovës për këto suksese.

“Gjithashtu duhet përmendur edhe faktin që Posta e Kosovës është shërbim publik universal, i shpejtë, i sigurt dhe i lirë. Pra, nuk e mat dërgesën me koston që ka, por me dobinë e qytetarit, andaj falënderoj të gjithë punëtorët që ditë e natë shërbejnë anë e mbanë Kosovës, edhe në fshatrat më të largëta, në mënyrë që askush në Republikën tonë të mos ndihet anash, por të jemi qytetarë të barabartë ashtu siç e kërkon kushtetueshmëria e një vendi demokratik”, ka shtuar kreu i ekzekutivit në detyrë.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, potencoi se përgjatë tri viteve Posta ka rritur fitimin e investimet.

"Besimi në Postën e Kosovës është rikthyer. Ne e shohim këtë jo vetëm në shërbime por edhe në kërkesa që posta ka nga ndërmarrje serioze për të bashkëpunuar me Postën e Kosovës. Punonjësit, postierët e postës tani kanë një punë të dinjitetshme. Që nga ndarja nga Telekomi, Posta e Kosovës vazhdimisht kishte operuar me humbje. Tani në dy vitet e fundit Posta ka rreth 1.3 milionë euro fitim që pritet të rritet edhe në vitet e ardhshme. Posta ka vendosur një themel të fortë", ka deklaruar Rizvanolli.

Nora Rraci, kryeshefe ekzekutive e Postës, shpalosi punën e stafit të kësaj ndërmarrjeje.

"Ka qenë një vit sfidues por edhe një vit i sukseseve që dëshmon përkushtimin e stafit tonë. Posta sot ka një rrjet të gjerë të shtrirë anë e mbanë vendit, nga veriu në jug. Për më shumë se 1 dekadë humbje dhe stagnimi, posta në vitin 2033 arriti ta kthej në bilanc pozitiv ndërmarrjen. Bilanci në mbyllje të këtij viti shkon në një milion euro. 1.6 milionë euro janë investime kapitale në mjete të punës, furgon të ri, jemi në pritje edhe të veturave. Kemi investuar edhe në teknologji dhe infrastrukturë kritike", ka shtuar ajo. /rtk