Fondi Pensional mbyll vitin me mbi 300 milionë euro kthim nga investimet
Foto: Zëri

Fondi Pensional mbyll vitin me mbi 300 milionë euro kthim nga investimet

Ekonomia December 29, 2025 - 15:10

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka njoftuar se deri më 24 dhjetor 2025 ka realizuar një kthim bruto nga investimet prej 312 milionë eurosh, duke e bërë vitin 2025 një nga më të suksesshmit në historinë e Institucionit.

Sipas njoftimit, meqë për vitin 2024 kthimi bruto nga investimet ishte rreth 244 milionë euro, rezulton se vetëm në dy vjetët e fundit FKPK-ja ka akumuluar kthim bruto nga investimet prej rreth 556 milionë euro.

FKPK thekson se ky ishte “viti i 21-të, nga gjithsej 24 vjet të operimit të FKPK-së, që institucioni arrin kthim vjetor pozitiv nga investimet”, ndërsa “kthimi i akumuluar bruto, prej themelimit e deri në këtë datë të raportimit ka arritur në rreth 1.3 miliard euro”.

Në njoftim bëhet e ditur se edhe arkëtimi i kontributeve të reja ka shënuar rritje të ndjeshme.

“Arkëtimi i kontributeve të reja në 2025-shin, aktualisht në vlerë prej 354 milionë euro, pasqyron një ngritje solide, si në vlerë nominale (prej +36 milionë euro) ashtu edhe në përqindje, prej 12%, nga viti paraprak”, thuhet në njoftim.

Image

Si rezultat i kontributeve të reja dhe kthimit nga investimet, FKPK njofton se vlera neto e mjeteve nën menaxhim për këtë vit aktualisht është ngritur për rreth 569 milionë euro, duke qenë larg ngritja më e shpejtë ndonjëherë e mjeteve nën menaxhim të FKPK-së.

Sa i përket Portofolit Standard, FKPK-ja bën të ditur se “performanca e investimeve për vitin 2025 është +9.14%”, duke theksuar se ky portofol “ka arritur ta tejkalojë dukshëm inflacionin në vend”.

Në njoftim thuhet se kjo performancë i atribuohet si vlerësimit pozitiv të indekseve kryesore të tregjeve financiare, por po ashtu edhe alokimeve taktike të FKPK-së, veçanërisht përqendrimit në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Megjithatë, FKPK paralajmëron kujdes për vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2026 FKPK-ja do të mirëmbajë vigjilencën, ngase trajektorja rritëse e vitit 2025 mund të ballafaqohet me pengesa nga vlerësimet e larta dhe normat e vazhdueshme të inflacionit”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, Portofoli i Balancuar për vitin 2025 ka shënuar rritje prej “+8.97%”, ndërsa Portofoli Konservativ ka pasur një performancë prej “+3.43%”, me fokus në mbrojtjen e kursimeve për pjesëmarrësit e moshës 63 vjeç e sipër.

Në përfundim, FKPK vlerëson se të tre portofolat investues, përgjatë këtyre dy vjetëve të funksionimit, kanë dhënë shenja tejet inkurajuese, duke ritheksuar se do të vazhdojë strategjinë e saj afatgjatë të investimeve, të kombinuar me veprime taktike në varësi të zhvillimeve globale.

Image