Gërxhaliu: Në Kosovë më shumë po mbijetohet sesa po jetohet
Rritja e çmimeve vazhdimisht në Kosovë po vështirëson edhe më shumë jetën dhe varfëron xhepin e qytetarëve.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se për shkak të situatës së rëndë me inflacionin në Kosovë po mbijetohet më tepër se po jetohet, transmeton Zeri.info.
“Në Kosovë shumë më tepër mbijetohet, se sa jetohet e them me përgjegjësi, vet fakti që i kemi këto çmime astronomike. Mua më bie të udhëtoj në shumë vende evropiane dhe produktetet bazike janë më të shtrenjta se në vendet evropiane. Është një inflacion i heshtur që po e godet qytetarin e Kosovës”, tha Gërxhaliu në emisionin “Destinim” në Radio Prishtina.
Ai tha se Kosova është në një pikë kritike me marrëdhënie të dëmtuara edhe politikisht me Brukselin dhe Washingtonin.
“Kosovës po i mungojnë investimet e huaja, besoj që Kosova është në pikën më kritike dhe nuk ka qenë në një situatë të tillë ndër vite, vet fakti që sot në Bruksel flitet shumë pak për Kosovën, Washingtoni në një farë forme është i distancuar, vet fakti që kemi një diplomaci të politizuar joprofesionale, është një dëm që po i bëhet Kosovës, duhet të kthehet besimi i qytetarëve dhe prodhimeve vendore”, tha Gërxhaliu. /Zëri