Njohësit ngrenë alarmin: Shtrenjtimi i jetesës po del jashtë kontrollit
Çmimet e produkteve dhe shërbimeve në vend kanë vazhduar të rriten.
Sipas të dhënave më të fundit, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (HICP) shënoi rritje prej 5.3% në nëntor 2025, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.
Kjo do të thotë se qytetarët sot paguajnë më shumë për një shportë të zakonshme mallrash dhe shërbimesh sesa një vit më parë.
Rritja e çmimeve është ndjerë më së shumti te produktet ushqimore, energjia, transporti dhe shërbimet bazë, të cilat zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore të familjeve
Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, në një prononcim për FrontOnline ka vlerësuar se rritja e çmimeve në vend nuk është një dukuri e përkohshme, por një proces që ka vazhduar prej vitesh dhe po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Sipas tij, çmimet nuk janë rritur vetëm në muajin e fundit, por gjatë gjithë vitit, me ritme relativisht të larta, sidomos nga muaji maj e këndej, fillimisht në nivelin 4–5 për qind dhe tashmë mbi 5 për qind.
Ai ka theksuar se ky trend ka nisur që nga viti 2020 dhe ka vazhduar edhe në vitet 2021 e tutje, me rritje të shpejta dhe të vazhdueshme.
“Jo vetëm në muajin e fundit por edhe në muajin paraprak gjatë krejt vitit rritja e çmimeve ka vazhduar me ritme relativisht të larta sidomos prej muajit maj e këtej 4-5% tani mbi 5% . Nuk është rritja veç gjatë këtij viti po rritje ka pasur prej vitit 2020, 2021 e këtej kanë pësuar rritje rapide e dinamike’’, tha ish-ministri Shatri
Shatri ka thënë se problemi kryesor qëndron te fakti se pagat, pensionet dhe kompensimet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve, çka ka ndikuar në uljen e fuqisë blerëse dhe varfërimin e popullsisë.
Sipas tij, shumica e qytetarëve shpenzojnë pothuajse të gjithë të ardhurat mujore për artikujt bazë të shportës, pasi pagat nuk mjaftojnë për shpenzime të tjera.
“Në anën tjetër pagat pensionet e kompensimet nuk janë rritur janë me të njëjtën dinamike, kjo ka ndikuar që të bjerë standardi e të varfërohet popullsia. Çmimet e artikujve të shportës për të cilët shumica e banorëve komplet pagën e harxhon janë rritur sepse pagat e këtij vendit nuk mjaftojnë për gjëra të tjera vetëm për produkte shporte’’, ka thënë Shatri.
Ish-ministri Shatri ka vlerësuar se situata aktuale e bën popullsinë më të varfër sesa në vitin 2020, gjatë periudhës së pandemisë.
Rritja e çmimeve, sipas Shatrit, po i godet më së shumti shtresat e mesme dhe të varfra, shërbyesit civilë dhe punëtorët e sektorit privat, duke prekur rreth 300 mijë familje.
“Rritja e këtyre produkteve është rritur dhe kjo tregon se banorët e këtij vendi brenda këtij viti janë më të varfër sesa kanë qenë ne vitin 2020 sa ka qenë pandemia. Kjo rritje i godet shtresat e mesme e të varfra, shërbyesit civil, sektorin privat e të tjera këta njerëz diku 300,00 familje e paga që merren në muaj”, tha Shatri.
Në këtë kontekst, Shatri ka përmendur edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke thënë se rritja e çmimit të rrymës ka rënduar ndjeshëm buxhetet familjare dhe ka ndikuar në rritjen e kostos së produkteve vendore, të cilat në disa raste janë bërë më të shtrenjta se produktet e importuara.
“Pastaj është shtrenjtuar edhe rryma krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo ka ndikuar në rritjen edhe të produkteve vendore që janë bërë n ë disa raste më të shtrenjta disa ato të importuara”, tha Shatri.
Në fund, ai ka vlerësuar se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Qeverinë, e cila, sipas tij, nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për nxitjen e prodhimit vendor dhe frenimin e rritjes së çmimeve, duke e lënë barrën kryesore mbi qytetarët.
“Kjo është shkaktuar nga mungesa e dinamikave të mira nga ana e qeverise , kjo qeveri nuk ka vepru asgjë ne favor te nxitjes se prodhimtarisë vendore te frenimit të çmimeve”, përfundoi Shatri.
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxherin, vlerëson se rritja e çmimeve prej 5.3 për qind nuk duhet parë vetëm si shifër zyrtare, por si një realitet që po e prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas tij, me paga të pandryshuara, qytetarët sot blejnë më pak ushqim dhe paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike, ngrohjen dhe shërbimet bazë, çka tregon rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse dhe goditje të standardit të jetesës.
“Rritja e çmimeve prej 5.3% nuk është thjesht statistikë, por realitet i përditshëm për secilin qytetar. Me të njëjtat paga, sot blejmë më pak ushqim, paguajmë më shtrenjtë rrymën, ngrohjen dhe shërbimet bazë. Fuqia blerëse ka rënë dukshëm dhe standardi i jetesës është goditur, sidomos për ata që jetojnë nga paga fikse ose pensioni”, tha Muhaxheri.
Muhaxheri thotë se kjo situatë nuk ka ardhur rastësisht, por është pasojë e mungesës së masave konkrete dhe e politikave të gabuara ekonomike.
Ai vlerëson se institucionet nuk kanë reaguar me kohë përballë rritjes së çmimeve dhe se, në vend të ndërhyrjeve serioze për mbrojtjen e qytetarëve, ka pasur kryesisht deklarata dhe justifikime.
“Kjo situatë nuk erdhi rastësisht. Mungesa e masave konkrete nga qeveria, politikat e gabuara ekonomike dhe mos reagimi në kohë ndaj rritjes së çmimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt. Në vend që të ketë ndërhyrje serioze për të mbrojtur qytetarin, kemi pasur vetëm deklarata dhe justifikime”, deklaroi njohësi i ekonomisë.
Sipas tij, më së shumti po goditen familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe punëtorët e sektorit privat, për të cilët shtrenjtimi i jetës nuk është thjesht sfidë ekonomike, por çështje mbijetese.
Ai shton se, ndërkohë që qeveria flet për suksese, realiteti në treg dhe në shtëpitë e qytetarëve dëshmon të kundërtën.
“Më së shumti po goditen familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe punëtorët e sektorit privat. Për ta, rritja e çmimeve nuk është ‘sfidë ekonomike’, por problem mbijetese. Ndërkohë, qeveria vazhdon të flasë për suksese, kur realiteti në treg dhe në shtëpitë e qytetarëve tregon krejt të kundërtën”, deklaroi Muhaxheri.
Në fund, Muhaxheri vlerëson se barrën e inflacionit po e paguan qytetari dhe jo qeveria, duke shtuar se pikërisht kjo ndjenjë e të qenit i lënë vetëm përballë rritjes së çmimeve e bën situatën edhe më të rëndë për shumicën e qytetarëve.
“Në fund, faturën po e paguan qytetari, jo qeveria. Dhe kjo është ajo që po e bën inflacionin edhe më të rëndë: ndjenja se je i lënë vetëm përballë shtrenjtimit të jetës”, tha Muhaxheri.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, vlerëson se rritja e inflacionit në nëntor në nivelin 5.3 për qind ka dobësuar edhe më tej fuqinë blerëse të qytetarëve, duke qenë dukshëm më e lartë krahasuar me muajt paraprakë.
Sipas tij, gjatë këtij viti është vërejtur një rritje graduale e inflacionit, nga 4.2 për qind në korrik, 4.3 për qind në gusht, 4.7 për qind në shtator dhe 5.1 për qind në tetor, deri në nivelin aktual.
“Rritja e inflacionit ne nëntor prej 5.3% e dobëson fuqinë blerëse edhe ma shume sepse kjo rritje është ma e lartë ne krahasim me muajin paraprak për shembull., korriku i këtij viti inflacioni ishte 4.2% ne krahasim me korrik te vitit te kaluar pastaj gushti 4.3% shtatori 4.7% tetori 5.1% si dhe nëntori si e cekem me lartë”, tha Bellaqa.
Bellaqa thotë se faktorët kryesorë që po nxisin inflacionin janë kryesisht të brendshëm.
Ai veçon rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin qershor prej 16.1 për qind, e cila, sipas tij, ka shkaktuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe jetësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonomitë familjare me të ardhura të ulëta dhe në kategoritë sociale.
“Faktorët qe po nxisin janë të brendshëm si rritja e çmimit te energjisë elektrike ne qershor prej 16.1% qe ka shkaktuar rritjen e te gjitha çmimeve elementare bazike apo jetësore dhe ka ndikuar direkt ne ekonomit familjare me te hyra te ulëta dhe te kategorisë sociale ju ka vështirësuar edhe ma shume jetën socio ekonomike”, tha njohësi i ekonomisë.
Sipas Bellaqës, një tjetër problem serioz është mungesa e funksionimit të institucioneve qendrore, përfshirë parlamentin dhe qeverinë, si dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut.
Ai vlerëson se kjo situatë ka krijuar hapësirë për formimin e monopoleve të fshehta në rrjetin e marketeve, ku çmimet nuk po përcaktohen më nga oferta dhe kërkesa, por nga praktika monopoliste.
“Faktor tjetër i brendshëm është mos formimi institucioneve qendrore ( parlamenti dhe qeveria) dhe mos mbikëqyrja dhe mos kontrolli ekonomisë ku është krijuar një monopol i fshehtë nga rrjeti marketeve ku ka ndikuar qe çmimet mos te formohen nga forca ofertës dhe kërkesë por çmimet të formohen sipas monopolit qe ka ndikuar negativisht ne përkeqësimin e situatës se tregut e të mirave dhe shërbimeve”, tha Bellaqa.