Shitësit e druve: Interesimi i qytetarëve për blerje ka rënë
Çmimi i druve për ngrohje në Kosovë është më i ulët, krahasuar me vitet e kaluara. Shitësit thonë se këtë vit drutë po shiten me çmime më të favorshme. Megjithatë, rënia e çmimeve nuk ka ndikuar në rritjen e kërkesës. Drushitësit theksojnë se interesimi i qytetarëve për blerjen e druve po bie nga viti në vit.
Me t’u afruar stina e dimrit, kërkesat e qytetarëve për blerjen e druve rriten. Megjithatë, çmimi i druve për ngrohje sivjet është ulur ndjeshëm krahasuar me vitet paraprake. Kështu shprehen drushitësit.
Jakup Halili, shitës drush nga rajoni i Gollakut, i tha Radio Kosovës se këtë vit çmimi i druve është dukshëm më i lirë sesa viteve të kaluara. Ai tregoi çmimin e druve sa varion këtë vit.
“Po 60 euro, 65, 50, krejt varet prej drunjve. Po një ndër arsyet është edhe ngrohja me rrymë, me klima e me nxehje të tjera. Po vitin e kaluar ka qenë më shtrenjtë, deri në 80, 90 euro e bile ka mbërri edhe deri në 100 euro metri”, tha ai.
Disa drushitës të tjerë theksojnë se këtë vit, përveç rënies së çmimit të druve për ngrohje, është vërejtur edhe një rënie e dukshme e interesimit të qytetarëve për blerjen e tyre. Sipas tyre, gjithnjë e më shumë qytetarë po heqin dorë nga drutë tradicionale dhe po i drejtohen peletit si lëndë djegëse.
“Nuk është puna vetëm te çmimi sepse kush merr e merr një metër kështu për qejf që do me pa flakë se je për ngrohje”, tha një drushitës.
“Pak janë duke u shitur drutë, shumë pak, krejt i kanë bërë me rrymë e me pelet. Të fshatit janë bërë ma zotëri e të qytetit blejnë edhe ato 2-3 metra, që do të thotë që nëse i ka marrë përpara 10 metra, tash i merr 5 metra e nëse i ka marrë 5, tash i merr 2.3 metra”, tha një tjetër drushitës.
Ata po ashtu theksojnë se banorët që jetojnë në qytet kanë më shumë interes për të blerë dru krahasuar me banorët e fshatrave, ndërsa interesimi për blerjen e druve po bie nga viti në vit.