Donatorët konfirmojnë besimin në ATK: Reforma dhe projekte strategjike
Menaxhmenti i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës ka mbajtur një takim me donatorët ndërkombëtarë – Bashkimin Evropian, FMN-në, GIZ-in, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Luksemburgut. Në këtë takim u diskutuan zhvillimet e fundit në ATK, mbështetja e deritanishme dhe prioritetet për fazën e ardhshme.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se kontributi i tyre ka qenë vendimtar në modernizimin e administrimit tatimor ndër vite.
Ai potencoi se asistenca teknike, projektet e digjitalizimit dhe përkrahja në ngritjen e kapaciteteve profesionale kanë ndikuar që ATK të shndërrohet në një institucion më transparent, më efikas dhe më të orientuar drejt tatimpaguesve.
Partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë, në komentet e tyre, vlerësuan progresin e ATK-së, duke theksuar se po shihen rezultate të prekshme dhe një përkushtim i qartë në zbatimin e reformave. Ata theksuan se ATK-ja ka dëshmuar gatishmëri për modernizim dhe qeverisje të mirë, duke justifikuar plotësisht mbështetjen e dhënë deri më tani dhe duke krijuar bazë të fortë për projekte të reja zhvillimore.
Gjatë takimit, Hyseni prezantoi pritjet e ATK-së për mbështetjen e mëtejshme në projektet e radhës me karakter strategjik.
Në përmbyllje, donatorët dhe ATK-ja rikonfirmuan vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen e projekteve që do të avancojnë transformimin e administrimit tatimor në Kosovë, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.