Ahmeti kërkon debat të qartë për energjinë: Po përzihen tri tema të ndryshme, po krijohet konfuzion për vota
Foto: Laura Hasani

Ahmeti kërkon debat të qartë për energjinë: Po përzihen tri tema të ndryshme, po krijohet konfuzion për vota

Ekonomia December 04, 2025 - 15:15

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me debatin politik për importin e energjisë elektrike dhe raportet me Serbinë, duke theksuar se diskutimi publik po zhvillohet mbi premisa të paqarta dhe të përziera, gjë që, sipas tij, po e bëjnë debatin të pasinqertë dhe jo të dobishëm.

Ahmeti thekson se aktualisht po trajtohen si një çështje e vetme tri tema që në fakt janë të ndryshme dhe që duhen ndarë qartë për të kuptuar saktë se për çfarë po diskutohet:

Origjina e energjisë – vendi ku prodhohet rryma që blihet.

Tregtuesi i energjisë (traderi) – kompania nga e cila blihet rryma, pavarësisht se ku prodhohet ajo.

Rruga e furnizimit – fakti se për shkak të interkoneksioneve, një pjesë e energjisë kalon përmes rrjetit të Serbisë, çka është teknikisht e pashmangshme. Ai u bëri thirrje partive politike dhe analistëve që të sqarojnë se për cilën prej këtyre çështjeve flasin kur akuzojnë njëra-tjetrën për blerjen e energjisë nga Serbia, duke vlerësuar se ndryshe, debati shndërrohet në manipulim për përfitime elektorale, përcjell Telegrafi.

Ahmeti theksoi se, për të, më shumë rëndësi ka aspekti i sigurisë afatgjatë të furnizimit dhe, mbi të gjitha, kostoja për qytetarët dhe bizneset. Ai paralajmëroi se çmimi i energjisë është faktor kyç në buxhetet e familjeve dhe në mbijetesën e bizneseve.

Sipas tij, debati real duhet të fokusohet te mosfunksionimi i kapaciteteve energjetike, vonesat në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe ndaljet e njësive ekzistuese, të cilat kanë rritur varësinë nga importi dhe, rrjedhimisht, faturën për qytetarët.

“Nëse duam debat të sinqertë, duhet të flasim për kapacitetet energjetike dhe koston reale që e paguan secili prej nesh – e jo për debate emocionale që nuk ofrojnë zgjidhje", ka përfunduar Ahmeti.