Delja autoktone Bardhokë, trashëgimi shekullore e mbarështimit në Pejë

Delja autoktone Bardhokë, trashëgimi shekullore e mbarështimit në Pejë

Ekonomia December 02, 2025 - 09:47

“Bardhokën e kishim mbarështuar një shekull më parë dhe edhe sot i qëndrojmë besnik asaj”, thotë Ymer Metaj, teknik i veterinës dhe mbarështues i deles autoktone Bardhokë nga fshati Studenicë, komuna e Pejës

Ai mbarështon 120 dele, shumica prej tyre të këtij lloji unik, të njohur për prodhimin e lartë të qumështit, qengjave, leshit dhe karakterin e butë.

Fermeri Metaj thotë se Bardhokën e kishin mbarështuar të parët e tij një shekull më parë dhe “edhe sot i qëndrojmë besnik asaj”. Arsyeja sipas tij që ky lloj deleje është ruajtur brez pas brezi është prodhimi i lartë i qumështit, qengjave, sasia e leshit dhe, më e rëndësishmja, karakteri i butë i saj.

Në të kaluarën, për shkak të kërkesave të mëdha ushqimore, Bardhokë milej tri herë në ditë. “Mjelja më e rrallë ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të qengjave në pjellori”, thotë Metaj, duke shtuar se kjo praktikë ndikonte edhe në kohën e mbarësimit të saj.

Sot, delet mbarështohen në banjën e Pejës, në pronë të kushëririt të Metajt. Gjatë verës, delet kullosin në bjeshkët e thata që përfshijnë kufirin me Malin e Zi. Fermeri Metaj tregon se një problem i madh është pakësimi i ujit, sidomos vitet e fundit për shkak të zvogëlimit të reshjeve të borës.

Përveç Bardhokës, Metaj mbarështon edhe lloje të tjera të deleve autoktone të Kosovës. Por, ai thekson se Bardhokë kërkon një angazhim më të madh, duke kërkuar kujdes të veçantë në ushqyerje dhe mbrojtje nga sëmundjet. Si teknik veteriner, ai sugjeron metoda të caktuara ushqyerjeje në kullosë dhe kujdes ndaj temperaturës së ujit që delet dhe qengjat përdorin për pije.

Familja Metaj fokusohet në prodhimin e qengjave dhe bulmetit.

“Shitja e të dyja prodhimeve është e garantuar dhe çmimi është shumë i mirë,” thotë ai. Prodhimi i bulmetit është më i vogël për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, por prodhimi i qengjave mbetet i qëndrueshëm. Subvencionet i vlerëson të mira, ndërsa për grante nuk ka aplikuar asnjëherë.

Muhamet Nikçi, kinolog dhe mjek veteriner nga komuna e Pejës, shprehet se delja Bardhokë ende nuk mbrohet me ligj në Kosovë, përkundër se është lloj autokton.

Ai në RTK thotë se standardet e Bardhokës të shkruara gjatë vitit 1930 nuk korrespondojnë me zhvillimin e saj sot.

Nikçi shpjegon se ndryshimi kryesor i Bardhokës nga shumë dele të tjera është gjerësia e kafkës, që është më e madhe se gjatësia e saj. Sa i përket prodhimit, leshi i Bardhokës ka sasi të madhe, por me cilësi më të dobët. Mishi ka prodhim mesatar, ndërsa përparësia kryesore mbetet prodhimi i qumështit dhe rezistenca ndaj sëmundjeve.

Sipas Nikçit, prejardhja e Bardhokës mund të jetë nga delja e egër e Evropës, duke e bërë këtë dele jo vetëm trashëgimi të çmuar të komunitetit lokal, por edhe pjesë të rëndësishme të biodiversitetit vendor. Ky lloj deleje, i mbarështuar me kujdes brez pas brezi, vazhdon të përfaqësojë një pjesë të rëndësishme të traditës dhe prodhimit bujqësor në Pejë dhe rrethinat e saj.