Murati: Opozita bllokoi miratimin e buxhetit për tri komunat
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, teksa ka folur për buxhetin e Komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, ka thënë se partitë opozitare kanë refuzuar pjesëmarrjen në seancën votuese.
“Sa i përket buxhetit të tri komunave, të pamiratuar, edhe kjo ka qenë një çështje që është trajtuar në seancën e jashtëzakonshme. Ka qenë si pikë e rendit të ditës, ne u kemi bërë ftesë partive opozitare, PDK, LDK, AAK, Nisma, të cilët siç e dini kanë refuzuar pjesëmarrjen në atë seancë fillimisht me arsyetimin se nuk ishte kushtetuese, por më pas doli se që data e zgjedhjeve të caktohet 14 dhjetori, në mënyrë që t’i pamundësohet diasporës të vijë e të votojë këtu”, tha ai në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.

Më tej Murati ka folur për situatën e krijuar në kryeqytet në raport me mosekzekutimin e buxhetit.
“Sa i përket asaj se çfarë po ndodh, më vjen mirë që po i vjen fundi edhe farsës së prezantuar tash e sa ditë nga ana e Komunës së Prishtinës, sa i përket edhe mjeteve edhe të hyrave vetanake që mund të shfrytëzohen për të paguar faturat e mbetura. Sot me sa di është seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal e do të miratojë alokimin e ndarjeve nga të hyrat vetanake të cilat do të mund të shfrytëzoheshin për të paguar faturat e prapambetura sa i përket Trafikut Urban por edhe operatorëve të tjerë privat. Ky ka qenë një problem i vetë shkaktuar”, ka thënë ai.
