Abdixhiku tha se ishin të gatshëm të votonin buxhetin, Murati i përgjigjet: Kjo është tallje me qytetarët
Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, i është përgjigjur kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku në lidhje me votimin e buxhetit.
Fillimisht Abdixhiku ka deklaruar se i kishte propozuar presidentes Vjosa Osmani, që të votohet një pako e quajtur “Pako e Presidentes” që do të përfshinte votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Pas kësaj, ka reaguar Murati duke shprendarë deklaratën e Abdixhikut, të cilën e ka cilësuar si tallje me qytetarët, transmeton Zeri.info.
“E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë?
Deri dje keni thënë se seanca ka qenë anti-kushtetuese, prandaj s’keni marrë pjesë. Tash po del që paskeni pasë me i votu, por s’ju ka pëlqy mënyra e ftesës.
Kjo është tallje me qytetarët”, ka shkruar Murati. /Zëri