Korrigjimi i thundrave, bazë e shëndetit dhe prodhimtarisë së gjedheve
Foto: Laura Hasani /Arkiv

Korrigjimi i thundrave, bazë e shëndetit dhe prodhimtarisë së gjedheve

Ekonomia November 20, 2025 - 08:15

Kujdesi për thundrat e gjedheve nuk është luks, por një faktor vendimtar për shëndetin, mirëqenien dhe prodhimtarinë e lopëve. Korrigjimi profesional i thundrave ndikon drejtpërdrejt në ecjen, ushqyerjen, fertilitetin dhe sasinë e qumështit.

Një lopë me thundra të shëndosha ha më mirë, lëviz pa dhimbje dhe prodhon më shumë, prandaj ky trajtim po bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm në fermat moderne në Kosovë.

Po përgatitet makina për trajtimin e thundrave. Pasi vendosen ndalesat, lopa futet lehtësisht në pajisje, e cila mundëson një proces më të sigurt dhe profesional. Pas sigurimit të kafshës, mjeku veterinar dhe specialist i kësaj fushe, Vedat Syla, fillimisht kontrollon thundrat dhe më pas kryen proceset e nevojshme.

“Pas pastrimit fillon prerja dhe rregullimi i thundrës. Nëse gjithçka është në rregull, procesi vazhdon në këmbën tjetër të pasme dhe më pas në këmbët e përparme. Te gjedhja e parë, të katër thundrat rezultuan të shëndetshme dhe trajtimi përfundoi me sukses”, shpjegon veterineri Syla.

Ai thotë se më pas në boks futet lopa tjetër, e cila nuk e kishte kryer këtë korrigjim më parë dhe se tek kjo gjedhë u vërejt një infeksion bakterial mes gishtërinjve.

“Pas korrigjimit bëjmë dezinfektimin me alkool 95% dhe vendosim fashimin me bar adekuat, të cilin lopa duhet ta mbajë për tre ditë radhazi,” thotë Syla në RTK.

Sipas veterinerit Syla, në fermat ekstensive trajtimi i thundrave duhet të kryhet çdo katër muaj për të parandaluar problemet shëndetësore.

“Thundrat rriten rreth 1 centimetër në muaj. Disbalanci ushqimor dhe lagështia janë faktorët kryesorë që shkaktojnë dëmtimet. Korrigjimi duhet të bëhet edhe te lopët që qëndrojnë gjithmonë në kullosa, pasi racat moderne kërkojnë kujdes më të lartë,” thekson Syla.

Sëmundjet e thundrave, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në ecjen dhe ushqyerjen e lopës, duke ulur prodhimtarinë dhe aspektin ekonomik të fermës. 

Ai thotë se më të shpeshtat janë ulcera dhe infeksioni bakterial i ardhur nga jashtë vendit. 

Fatmirësisht, sipas Syla, fermerët në Kosovë po fillojnë të vetëdijesohen për rëndësinë e korrigjimit profesional.

Sheqer Berisha, menaxher i fermës në Klinë, thotë se trajtimi i thundrave ka ndikim të drejtpërdrejtë si në shëndetin e kafshës ashtu edhe në nivelin e prodhimit të qumështit. 

“Ky proces është i domosdoshëm për çdo fermë që synon rezultate”, thotë Berisha për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Procesi u vlerësua lart edhe nga Marciel (Martial) Marguet, ish-president i Institutit të Blegtorisë së Francës për 17 vjet dhe aktualisht fermer, i cili ndodhej në Kosovë në kuadër të një programi të Ambasadës Franceze për trajnimin e fermerëve.

“Me shumë interes pashë kujdesin për thundrat, sepse edhe në fermën time në Francë ky është element fundamental. Evolucioni gjenetik ka ngritur potencialin e racës Montbéliarde për cilësi dhe sasi të qumështit, por ky potencial shfaqet vetëm kur lopa ka këmbë dhe thundra të forta,” tha Marguet për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Ai thotë se ashtu siç ndërrohen gomat te makinat e Formula 1, ashtu duhet të kujdesemi për këmbët e lopës. 

“Një lopë me thundra të forta ha pa problem, ulet pa dhimbje dhe prodhon qumësht normalisht. Kam vizituar shumë vende të botës dhe puna që po kryhet këtu është me shumë cilësi”, thotë Marguet.

Eksperti francez foli edhe për sfidat globale të blegtorisë, të cilat sipas tij, prodhimin e qumështit duhet ta përshtatim me kërkesat e shoqërisë, ambientin dhe mirëqenien e kafshëve, por jo duke zvogëluar fermat. 

“Të kërkosh ulje të numrit të bagëtive për çështje mjedisore është gabim. Ripërtypësit ndihmojnë zhvillimin e kullotave, të cilat thithin dhe inkastrojnë karbonin në tokë. Atje ku blegtoria është zhdukur, zjarret janë shtuar”, tha Marguet.