KOSTT: Reshjet rrezikuan stabilimentet e tensionit të lartë
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) njofton se, për shkak të reshjeve të mëdha të ditëve të fundit, është rritur rreziku që stabilimentet e tensionit të lartë në disa nënstacione të preken nga vërshimet.
“Për arsye sigurie dhe për të shmangur dëmtimet në pajisjet energjetike, në raste kur konstatohet rrezik i tillë, KOSTT ndërmerr masa emergjente për mbrojtjen e stabilimenteve dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike”, njofton KOSTT.
KOSTT bën të ditur se mbrëmë, në orët e vona, në Nënstacionin Berivojcë, për arsye sigurie është ndërprerë nga puna transformatori energjetik TR1, dhe qytetarët që furnizohen nga ky transformator kanë qenë pa energji elektrike për rreth një orë.
“Deri më tani, ky mbetet rasti i vetëm i ndërprerjes së furnizimit të këtij lloji në rrjetin e KOSTT, i shkaktuar nga kushtet e krijuara si pasojë e vërshimeve. Ekipet relevante të KOSTT janë në gjendje gatishmërie dhe në terren, duke punuar vazhdimisht për të monitoruar situatën në çdo nënstacion, me qëllim parandalimin e pasojave nga vërshimet, mbrojtjen e stabilimenteve dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.