Raportohet se Qeveria shpenzoi rreth 2.5 milionë euro për blerjen e veturave të reja zyrtare
Për vetëm 9 muaj janë 2.5 milionë euro të shpenzuara. Kjo është shuma e përgjithshme e shpenzuar e institucioneve qendrore, ministrive, Kuvendit dhe Presidencës, për blerjen e veturave të reja zyrtare gjatë periudhës janar-shtator 2025.
Përpos veturave të reja, gjithashtu janë edhe miliona euro të tjera të shpenzuara për vetura me qira nga institucionet qendrore dhe lokale, shuma këto që janë barrë e rëndë për buxhetin e varfër të Kosovës.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët e ekonomisë kritikojnë Qeverinë në detyrë, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, duke potencuar faktin se këto shpenzime milionëshe kanë ndodhur kur Kosova është pa institucione qendrore dhe njëkohësisht paraqesin mungesë konsistence për retorikën antikorrupsion nga Albin Kurti dhe zyrtarët tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shpenzime më të mëdha për blerjen e veturave gjatë këtij viti kanë bërë: Ministria e Financave dhe Ministria e Jashtme, raporton FrontOnline.
Demolli nga Lëvizja Fol: Shpenzimi në vetura zyrtare është tregues i prioriteteve të gabuara të Qeverisë
Drejtues të OJQ-së, Lëvizja Fol, kanë kritikuar qeverinë “Kurti” lidhur me shpenzimet prej 2.5 milionë euro për blerjen e veturave zyrtare.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtuese e Lëvizjes Fol, e ka cilësuar këtë si një shpenzim të panevojshëm dhe tregues të prioriteteve të gabuara të ekzekutivit.
“Shpenzimin prej 2.5 milionë eurosh për vetura zyrtare nga qeveria ‘Kurti’ brenda 9 muajve, periudhë kjo në të cilën vendi është edhe pa institucione nga zgjedhjet e 9 shkurtit është një shpenzim i panevojshëm, sidomos në kontekstin aktual politik dhe ekonomik”, u shpreh ajo.
Sipas Demolli-Nimanit, ky veprim bie ndesh me retorikën antikorrupsion të Vetëvendosjes.
“Ky shpenzim tregon prioritete të gabuara dhe mungesë konsistence me retorikën anti-korrupsion, kur e dimë qasjen e LVV-së sa ishte në opozitë në raste të tilla. Në këtë periudhë jostabiliteti dhe mungese legjitimiteti të plotë, çdo shpenzim i madh duhet të shihet nëse është në përputhje me vendimet që mund të merr një qeveri në detyrë”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se këto mjete do të duhej të investoheshin në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Këto mjete financiare do të duhej të dedikoheshin në fusha që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, sidomos sektorin e shëndetësisë ku çdo dite informohemi nga mediat për mungesa të shumta qoftë edhe të barnave nga lista esenciale”, deklaroi Demolli-Nimani.
Profesori i ekonomisë: Me 2.5 milionë euro do të mundë të hapeshin tri kopshte publike, qeveritarët janë mediokër
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini ka hedhur kritika kundrejt qeverisë “Kurti” për mungesë të planifikimit ekonomik dhe menaxhimit të dobët të buxhetit publik.
Ai ka deklaruar se shpenzimi prej 2.5 milionë eurosh në vetura zyrtare, është përdorur për qëllime fushate e marketingu politik.
“Qeveria aktuale nuk bënë ndonjë planifikim afat shkurt, të mesëm apo afatgjatë se janë mediokër në fushën e ekonomisë. Shifra prej 2.5 milionë euro që i kanë shpenzuar kanë pasur interes që me ato vetura me dal në fushatë e marketing për me i bind njerëzit me votuar”, deklaroi Misini.
Sipas tij, me këto mjete mund të ishin hapur tri kopshte publike, në të mirën e qytetarëve.
Misini ka akuzuar Qeverinë në detyrë se kalkulon për grupe të caktuara që përfitojnë nga korrupsioni.
“Me këto mjete të paktën 3 kopshte publike kanë pasur mundësi me i hap, për të cilën kish ndikuar në uljen e kostos për prind që kanë mundësi të vogla financiare për kopshte private. Ky raport na tregon që kjo qeveri është mediokër dhe pa ndonjë strategji dhe nuk punon në interesin e qytetarëve por kalkulon për grupet e caktuara që janë për interesa të korrupsionit”, u shpreh Misini.
Qorrolli: 2.5 milionë euro për vetura, barrë e panevojshme për buxhetin e shtetit
Shpenzimi i 2.5 milionë eurove për blerjen e veturave zyrtare nga Qeveria në detyrë që udhëhiqet nga Albin Kurti, nga eksperti i ekonomisë, Adem Qorrolli po vlerësohet si barrë e panevojshme për buxhetin e shtetit.
Sipas Qorrollit, ky lloj shpenzimi nuk krijon vlerë afatgjatë dhe dëmton hapësirën fiskale që mund të përdorej për zhvillim të qëndrueshme.
“Shpenzimi prej 2.5 milionë eurosh për blerjen e veturave zyrtare nga qeveria paraqet një barrë të panevojshme për buxhetin e shtetit dhe tregon mungesë të prioritizimit të duhur fiskal. Në një periudhë kur vendi përballet me sfida ekonomike, inflacion, papunësi dhe nevoja të mëdha për investime në sektorë produktivë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se fondet publike duhet të orientohen drejt projekteve që gjenerojnë përfitim të gjerë e jo për luks administrativ.
“Ky lloj shpenzimi nuk krijon vlerë afatgjatë, dëmton hapësirën fiskale që mund të përdorej për qëllime zhvillimore apo investimet në energji të qëndrueshme. Fondet e taksapaguesve duhet të orientohen drejt fushave që gjenerojnë përfitim të gjerë publik dhe ndikim ekonomik afatgjatë, jo drejt luksit administrativ”, potencoi Qorrolli.
