Kriptovalutat, akoma Maqedonia e Veriut s’ka ligj për rregullim

Kriptovalutat, akoma Maqedonia e Veriut s’ka ligj për rregullim

Ekonomia November 16, 2025 - 16:43

Deri sa disa vende të botës, kanë filluar që buxhetin ta vendosin në bitcoin, shumë vende të tjera, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, këtë çështje ende as nuk e kanë të rregulluar me ligj. Qeveria ende nuk ka krijuar një kornizë ligjore që të mbrojë investitorët apo të përcaktojë qartë mënyrën e funksionimit të këtyre aseteve. Investitorët janë të detyruar të operojnë në një hapësirë të paqartë, duke përdorur platforma ndërkombëtare për transaksione dhe duke përballur pasigurinë ligjore në vend.

Kryeministri Mickoski, për këtë çështje ka folur në disa paraqitje të tij, ku madje muaj më parë, pati thënë se tregtimi në vendin tonë bëhet në mënyrë gjysmëlegale, ndërsa ishte zotuar se Maqedonia e Veriut do të jetë ndër të parët në rajon që do të bëjë ndryshime në këtë drejtim.

Tani, kryeministri thotë se tashmë po punohet për hartimin e një ligji të posaçëm për tregun e kriptove, duke nënvizuar se gjatë vitit të ardhshëm ky do të jetë një nga drejtimet kryesore të politikës ekonomike të qeverisë.“Po punohet për këtë, mendoj se vitin e ardhshëm edhe kriptovalutat edhe teknologjia blockchain do të jenë në fokus dhe në optikën e kësaj qeverie”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Por në pritje të një ligji të ri, vazhdojnë keqpërdorimet që lidhen me këtë treg. Në polici çdo ditë evidentohen shkelje, madje edhe në pjesën e vjedhjes së energjisë elektrike që përdoret fshehurazi për të bërë ‘minning’.Ministria e Punëve të Brendshme për momentin nuk përgjigjet në pyetjet e Alsat sesa raste të vjedhjes së energjisë elektrike janë paraqitur për këtë vit, por në vitet e kaluara, ka pasur nga 100 deri në 300 paraqitje. Nuk dihet as se sa nga këto paraqitje procesohen dhe sa raste përfundojnë në gjoba.

Këtë vit bitcoin si monedha kryesore arriti maja historike, duke e prekur për herë të parë vlera gjashtë shifrore. Pika më e lartë u arrit në muajin tetor, ku çmimi kaloi mbi 126 mijë dollarë për një bitcoin. Kjo rritje historike është nxitur nga kërkesa e rritur globale dhe nga mbështetja e fuqishme e Bitcoin nga institucionet financiare kryesore./Alsat.mk