Rama: Nga janari s’do të ketë pagë nën 500 euro
Foto: Laura Hasani

Rama: Nga janari s’do të ketë pagë nën 500 euro

Ekonomia November 16, 2025 - 12:45

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se nga janari i 2026-s nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.

Këtë deklaratë, Rama e dha në Podcastin “Flasim”.

Ai tha se “lajmi për pensionet është pasuar nga rritja e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale”.

“Nga janari i vitit që po troket kur paga minimale në sektorin publik dhe atë privat, kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 do të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro”, deklaroi ai.

Për vitin 2026 paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, për t’u rritur më tej në 70 mijë lekë deri në fund të mandatit, shkruan ATSh.

Kostoja totale e rritjes së pagave dhe indeksimit parashikohet rreth 10 miliardë lekë dhe do të përfshijë mbi 144 mijë punonjës në të gjitha nivelet e administratës.