A do të ketë shtrenjtim të rrymës? Flasin nga ZRRE-ja
Foto: Zëri

A do të ketë shtrenjtim të rrymës? Flasin nga ZRRE-ja

Ekonomia November 06, 2025 - 23:44

Pas paralajmërimit të ekspertëve të ekonomisë për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, ZRRE-ja, ka konfirmuar se procesi i rishikimit të tarifave të energjisë do të nisë në muajin dhjetor.

“Procesi i rishikimit të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026 pritet të fillojë në muajin dhjetor 2025 dhe të përfundojë në fund të muajit mars 2026. Aktualisht, ZRRE-ja nuk ka pranuar ende aplikacionet nga operatorët e licencuar për rishikim tarifor, pasi ky proces fillon në fund të dhjetorit, në përputhje me afatet e përcaktuara në rregullat për caktimin e tarifave. Në këtë fazë është shumë herët të flitet për rritje apo ulje të tarifave, pasi shqyrtimi ende nuk ka nisur dhe asnjë propozim konkret nuk është dorëzuar për vlerësim. Çdo vlerësim apo vendim i ZRRE-së në lidhje me tarifat publikohet dhe i nënshtrohet procesit të konsultimit me publikun përpara se të miratohet përfundimisht nga Bordi i Rregullatorit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Rtv 21.

Ndryshe, sipas matjeve të fundit, të Agjencisë së statistikave, për muajin shtator energjisë elektrike ka shënuar rritje për 17.4%.

Ndërkaq njohës të çështjeve të ekonomisë ngritën alarmin për shtrenjtim të tarifave energjetike si shkak i taksës se dioksid karbonit.