Komuna e Istogut u bën thirrje qytetarëve të paguajnë tatimin në pronë

Komuna e Istogut u bën thirrje qytetarëve të paguajnë tatimin në pronë

Ekonomia November 03, 2025 - 15:36

Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Istogut, përmes Sektorit të Tatimit në Pronë, ka njoftuar qytetarët për detyrimin ligjor të pagesës së tatimit vjetor në pronë, duke përfshirë objektet banesore, afariste dhe pronat e tjera të paluajtshme në territorin e komunës.

Në njoftimin zyrtar, theksohet se të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme janë të obliguar me ligj të kryejnë pagesën e tatimit në pronë, në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe aktet tjera përkatëse, si dhe me Ligjin Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Drejtoria për Buxhet dhe Financa ka bërë të ditur se qytetarët që kanë detyrime tatimore të papaguara mbi shumën 300 euro mund të përfitojnë nga mundësia ligjore për lidhjen e një Kontrate Administrative për pagesë me këste. Kjo formë e pagesës u mundëson qytetarëve të përmbushin obligimet e tyre tatimore pa iu nënshtruar procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.

“Kjo mundësi është në të mirë të qytetarëve dhe ka për qëllim lehtësimin e procesit të pagesave, duke shmangur procedurat administrative të ekzekutimit të borxheve”, thuhet në njoftimin e Sektorit të Tatimit në Pronë.

Zyrtarët e komunës kanë ftuar të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të prapambetura të kontaktojnë zyrtarët e Tatimit në Pronë për të marrë sqarime shtesë rreth procedurave të pagesës ose lidhjes së kontratës për këste. Konsultimet mund të bëhen personalisht në Zyrën nr. 109, kati i parë, në ndërtesën e Komunës së Istogut, gjatë orarit zyrtar të punës.

Komuna e Istogut apelon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e detyrimeve ligjore tatimore, duke theksuar se mbledhja e rregullt e tatimit në pronë është një burim i rëndësishëm për financimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e projekteve komunale.