AUV-i ndalon importin e shpezëve nga Gjermania pas përhapjes së gripit të shpezëve
Foto: Laura Hasani

AUV-i ndalon importin e shpezëve nga Gjermania pas përhapjes së gripit të shpezëve

Ekonomia November 01, 2025 - 21:22

Pas përhapjes së gripit të shpezëve në Gjermani, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga ky vend.

Siç thanë nga kjo AUV-i, masat janë ndërmarrë për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe për të parandaluar çdo rrezik të përhapjes së virusit në Kosovë.

Një grip i shpezëve ka shpërthyer në disa pjesë të Gjermanisë.

Përhapja e këtij gripi, sipas Institutit Friedrich Loeffler, deri tani është zbuluar në 30 ferma. /tëvë1

Kjo ka bërë që edhe Kosova të marrë masa parandaluese.

Kësisoj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Gjermania.

Sadik Heta nga kjo Agjenci thotë se aktualisht çdo gjë është në kontroll, derisa thekson se situatën janë duke e monitoruar vazhdimisht.

“Ne jemi duke monitoruar situatën edhe në rajon, edhe në Evropë. Për momentin, situata në Kosovë është e qetë, nuk kemi raste për paraqitjen e ndonjë sheje të kësaj sëmundje, si në fermat komerciale apo edhe te shpezët e egër. Situata është në kontroll dhe shpresoj që në ditët në vazhdim të mos kemi telashe me këtë sëmundje në vendin tonë”.

Por cilat janë masat që janë marrë deri tani?

“Ne vazhdimisht jemi në kontakt me fermerët tanë, masa kryesore është biosiguria në fermë, pra parandalimi i kontaktit të shpezëve të egër me pulat ose shpezët komercial në vendin tonë edhe gjithashtu masat e hyrje daljeve të personave të paautorizuar në fermat komerciale”, tha ai.

E në anën tjetër, veterinari Bledion Rushiti thotë se ky virus nuk ka mjekim.

Mirëpo sipas tij, duhet vetëm të bëhet asgjësimi i tufës së prekur.

“Virusi përhapet përmes pështymës dhe fekseve të kafshëve të infektuara, atëherë në fermën ku dyshohet se ka shpërthyer sëmundja, aty duhet të bëhet asgjësimi i tufës dhe të merren masa strikte të sigurisë ku çdo hyrje dhe çdo dalje në fermë duhet të kontrollohet menjëherë. Pastaj kontrollimi shpezëve të egra, meqenëse janë rezervar natyral i virusit, edhe kjo duhet të ndalohet në mënyrë që të ndalojmë përhapjen e virusit”.

Gjermania ka therur më shumë se 400 mijë shpezë ndërsa rastet e gripit të shpendëve vazhdojnë të rriten në të gjithë vendin.