Oda Amerikane kritikon Qeverinë në detyrë për vendimet e djeshme: Kanë pasoja afatgjata fiskale
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar thellë lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin fiskal 2026.
Sipas OEAK-së, kjo u bë në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
OEAK thotë se si institucion që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm të të bërit biznes në Kosovë, vlerëson se “vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë në politikat fiskale dhe ekonomike të vendit duhet të merren nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik”.
“Legjislacioni aktual qartazi kufizon fushëveprimin e një qeverie në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale që krijojnë detyrime të reja afatgjata për financat publike”, thotë OEAK në reagim.
Lidhur me miratimin nga Qeveria në detyrë të rritjes së pagës minimale, nga 350 në 500 euro, që pritet të zbatohet në dy faza gjatë vitit 2026, Oda Amerikane thekson se përmirësimi i kushteve të punës dhe të ardhurave mbetet një qëllim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Megjithatë, thotë se çdo vendim i tillë duhet të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse të tregut të punës, produktivitetit dhe kapaciteteve reale të sektorit privat, “në mënyrë që të sigurohet një baraspeshë ndërmjet mirëqenies së punonjësve dhe konkurrueshmërisë së bizneseve”.
“Vendimet e tilla mund të rrezikojnë stabilitetin e tregut të punës dhe të krijojnë pasiguri për komunitetin e biznesit”, u tha në reagim.
Oda Amerikane paralajmëron se miratimi i politikave të reja të shpenzimeve publike në këtë fazë mund të cenojë stabilitetin makroekonomik, të rrisë ngarkesën buxhetore për vitet në vijim dhe të çrregullojnë tregun e punës, duke rritur pritshmëritë për paga më të larta në sektorin privat dhe duke ndikuar kështu në konkurrueshmërinë e përgjithshme të ekonomisë.
“Një veprim i tillë po ashtu rrezikon të kufizojë hapësirën fiskale për investime kapitale dhe politika zhvillimore, të cilat janë thelbësore për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit. Në vend që të merren vendime me pasoja fiskale, të gjitha forcat politike duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në formimin e një qeverie legjitime që reflekton funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës”.
Rrjedhimisht, Oda Amerikane bën thirrje për përmbajtje institucionale, respektim të plotë të parimeve kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar se “është e domosdoshme që çdo vendim i Qeverisë në detyrë, të ndërmerret në përputhje të plotë me kufizimet ligjore që burojnë nga statusi i saj si qeveri kujdestare, si dhe me dispozitat që përcaktojnë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të anëtarit të Qeverisë”.
“Çdo devijim nga ky parim do të rrezikonte jo vetëm vlefshmërinë formale të akteve të miratuara, por edhe besimin në institucionet publike dhe në stabilitetin kushtetues të vendit”, tha OEAK.
Në këtë drejtim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit se stabiliteti institucional, qeverisja e mirë dhe respektimi i legjitimitetit demokratik janë parakushte për një ekonomi të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese.