KEK-u fiton rastin në Arbitrazh, KEDS-i dhe KESCO do t’ia paguajnë mbi 8 milionë euro
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Tribunali Ad Hoc i Arbitrazhit, i themeluar sipas Nenit 28 të Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA), ka shpallur më 24 tetor 2025 vendimin përfundimtar në rastin KEK kundër KEDS-it dhe KESCO-s, duke konfirmuar plotësisht kërkesat e KEK-ut dhe refuzuar pretendimet mbrojtëse të palëve të paditura.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Tribunali ka konstatuar faktet e pakontestuara se KEK-u ka realizuar furnizimin me energji në përputhje të plotë me dispozitat e Marrëveshjes për Furnizim me Shumicë (MFSh/BSA) dhe se palët e paditura (KEDS dhe KESCO) nuk kanë kryer pagesat brenda afateve të përcaktuara për disa periudha midis viteve 2020–2024.
Gjithashtu, Tribunali ka vërtetuar se interesi për pagesat e vonuara është i paraparë dhe i lejuar me MFSh/BSA, dhe se kërkesa e KEK-ut për këtë pagesë është bërë në përputhje të plotë me detyrimet kontraktuale.
“Nga ana tjetër, vonesat në pagesa nga KEDS-i dhe KESCO nuk janë justifikuar nga asnjë ngjarje force madhore apo krizë energjetike, ndërsa KEK-u nuk ka shkelur asnjë parim të mirëbesimit, drejtësisë ose përgjegjësisë kontraktuale.
Në bazë të vendimit të shpallur, KEDS dhe KESCO detyrohen të paguajnë KEK-ut rreth 8.3 milionë euro, për interesin e akumuluar nga pagesat e vonuara; KEK-ut i njihen dhe do t’i kompensohen kostot e procedurës së arbitrazhit, përfshirë shpenzimet e përfaqësimit ligjor dhe të ekspertëve, të cilat do të mbulohen bashkërisht nga palët e paditura (KEDS/KESCO).
“Procedura e arbitrazhit është zhvilluar në përputhje me rregullat UNCITRAL Arbitration Rules (2010), ndërsa vendi i arbitrazhit ka qenë Gjeneva, Zvicër.
Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm.
Një fitore me rëndësi strategjike për KEK-un dhe sektorin energjetik të Kosovës.
Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm ligjor për sektorin energjetik të vendit, duke forcuar pozitën kontraktuale dhe kredibilitetin institucional të KEK-ut.
Ai konfirmon qartësisht sjelljen e përgjegjshme, transparente dhe profesionale të KEK-ut ndaj partnerëve dhe institucioneve, si dhe angazhimin për respektim të plotë të detyrimeve ligjore dhe kontraktuale”, thuhet në njoftim. /Zëri