OEK: Dialogu me komunitetin e biznesit nuk mund të zëvendësohet me takime formale

OEK: Dialogu me komunitetin e biznesit nuk mund të zëvendësohet me takime formale

Ekonomia October 30, 2025 - 10:50

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se nuk ka qenë pjesë e takimit të thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale, takim i planifikuar për sot.

OEK-u thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Gjatë kësaj periudhe, sipas OEK-ut, bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka theksuar se proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat.

“Oda Ekonomike e Kosovës është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social me dy anëtarë dhe gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog të hapur e konstruktiv. Megjithatë, një qeverisje legjitime dhe e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi institucionale, duke dëgjuar dhe përfshirë partnerët ekonomikë në proceset e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rafuna.

OEK-u rithekson se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e asnjë fushate politike, por do të vazhdojë të angazhohet për takime të nivelit të lartë, me qëllim fuqizimin e bizneseve, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit. /Zëri