Murati reagon ndaj Ramës: Keqmenaxhimi juaj i ka sjellë shumicën e ndërmarrjeve para kolapsit
Foto: Laura Hasani

Murati reagon ndaj Ramës: Keqmenaxhimi juaj i ka sjellë shumicën e ndërmarrjeve para kolapsit

Ekonomia October 27, 2025 - 12:45

Komuna e Prishtinës ka iniciuar padi ndaj ministrit në detyrë të Financave Hekuran Muratit dhe tre zyrtarëve për bllokim të buxhetit.

Për këtë çështje ka reaguar vetë Murati, i cili ka thënë se dështimi i keqmenaxhimit të kryeqytetit nuk mbulohet me arsyetime të pavërteta, shkruan Zeri.info.

Ai u shpreh se ndërmarrjet publike komunale janë nën menaxhimin e Komunës dhe se Qeveria nuk ka kompetencë për to.

“Shumica e ndërmarrjeve publike në Komunën e Prishtinës aktualisht gjenden para kolapsit financiar për shkak të keqmenaxhimit e mbipunësimit që ka bërë qeverisja e Përparim Ramës. Kjo është arsyeja kryesore. Gjithçka tjetër është broçkulla.

Para kolapsit janë edhe ato ndërmarrje që financohen kryekëput nga tarifat për shërbimet që ofrojnë, e kjo nuk ka lidhje me buxhetin komunal, por thjesht është keqmenaxhim i Komunës. Kjo ka ndikuar që shumë projekte që financohen nga partnerët ndërkombëtarë ose të vonohen ose edhe të rrezikohet në tërësi implementimi i tyre.

Kurse sa i përket buxhetit, tashmë disa herë e kam sqaruar për publikun se qeveria qendrore nuk ka bllokuar e as që mund të bllokojë buxhetin e ndonjë komune. Komuna e Prishtinës e ka bllokuar vetveten duke mos e kaluar projektbuxhetin brenda afatit ligjor”, thuhet në reagimin e Muratit. /Zëri