Komuna e Prishtinës inicion padi ndaj Muratit për bllokim të buxhetit
Komuna e Prishtinës ka iniciuar padi ndaj ministrit në detyrë të Financave Hekuran Muratit dhe tre zyrtarëve për bllokim të buxhetit.
Kështu bëri të ditur kryetari Përparim Rama, i cili u shpreh se kjo bllokadë po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet publike në kryeqytet, raporton Zeri.info.
“Punëtorët e ndërmarrjes ‘Gjelbër’ prej kohësh po përballen me vonesa në marrjen e pagave të tyre, si pasojë e bllokadës së buxhetit nga Qeveria.
Sot i prita në takim përfaqësuesit e ndërmarrjes, të cilëve me shqetësim dhe mirëkuptim të thellë njerëzor ua shpjegova situatën e krijuar.
Kjo bllokadë, e cila po dëmton jo vetëm punëtorët, por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit, është e pajustifikueshme, e paligjshme dhe me prapavijë të qartë politike. Për këtë arsye kemi iniciuar padi ndaj ministrit Murati dhe tre zyrtarëve përgjegjës për këtë pengesë të qëllimshme”, shkroi Rama. /Zëri