Disa parcela në Suhodoll riklasifikohen nga tokë bujqësore në ndërtimore

Disa parcela në Suhodoll riklasifikohen nga tokë bujqësore në ndërtimore

Ekonomia October 26, 2025 - 20:00

Në Mitrovicën e Veriut, Kuvendi Komunal ka miratuar riklasifikimin e dhjetë parcelave në Suhodoll, duke i shndërruar nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore. Seanca u mbajt në mënyrë të jashtëzakonshme pas një thirrjeje një natë më parë. Kërkesat për riklasifikim ishin dorëzuar ndërmjet 10 dhe 23 shtatorit të këtij viti. Nëntë prej tyre erdhën nga anëtarë të komunitetit shqiptar dhe një nga komuniteti boshnjak. Nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga komuniteti serb.

Dhjetë parcela në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, nga prona bujqësore do të shndërrohen në prona ndërtimore. Kjo u vendos gjatë një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, mbi bazë të kërkesës së qytetarëve, përmes Drejtorisë për Urbanizëm dhe Kadastër.

“Por s’është veç ai rast, sepse ne i kemi dhënë edhe më përpara si Kuvend, por i kemi edhe disa kërkesa që po vijnë nga qytetarët dhe sigurisht do t’i marrim përsipër edhe ato, kur t’i përfundojnë obligimet Drejtoria për Urbanizëm dhe Kadastër”, tha Nexhat Ugljanin.

Lidhur me sigurinë dhe rikthimin e qytetarëve në institucionet komunale, zyrtarë të kuvendit komunal nënvizojnë se vërehet njëfarë entuziazmi personal, por jo doemos në nivel komune.

“Sigurisht që është një eufori individuale te njerëzit të cilët po kthehen në institucione si në Komunë, p.sh., por eufori te komunitetet s’ka”, theksoi Ugljanin.

“Situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, vazhdon të jetë delikate për arsye të zhvillimeve që kanë ndodhë këto tri vite, sidoqoftë ne e konsiderojmë që nuk ka ndonjë vend për me u brengos”, tha Veton Elshani, nga Policia e Kosovës.

Për shndërrimin e pronës bujqësore në pronë ndërtimore, aktualisht në procedurë janë edhe katër kërkesa, për të cilat Kuvendi nuk mund të marrë vendim derisa të përfundojnë procedurat administrative në Drejtorinë për Urbanizëm dhe Kadastër./rtk