E filluan me tre kavanoza turshi, sot furnizojnë 30 pika të shitjes

E filluan me tre kavanoza turshi, sot furnizojnë 30 pika të shitjes

Ekonomia October 16, 2025 - 11:02

Në vitin 2012 Xhevahire Haziri nga fshati Zborc i komunës së Shtimes kishte filluar për herë të parë të merrej me bujqësi.

Fillimisht kishte mbjellë vetëm 10 ar me dredhëza, por pas suksesit të parë, një vit më vonë ajo shtoi sipërfaqen në 60 ar.

“Në fillim punuam me shumë vështirësi, por dashuria për punën në tokë na ka mbajtur gjithmonë të motivuar”, rrëfen Xheva Haziri, kultivuese dhe përpunuese e pemëve e perimeve.

Në vitin 2017, gjatë një panairi bujqësor, ajo prezantoi për herë të parë reçelrat e dredhëzave.

Pikërisht aty, përveç kërkesave për reçel, Xhevahirja mori shumë interesim edhe për turshi, çka e shtyu të fillojë një drejtim të ri të përpunimit të perimeve.

“Filluam me vetëm tre kavanoza turshi. Përpunimin e bënim në kushte shumë të vështira, por kërkesat rriteshin çdo vit”, tregon ajo.

Me rritjen e kërkesave, familja Haziri vendosi të zgjerojë hapësirat për përpunim me mjete vetanake.

Krahas pemëve që i kthejnë në reçel, më së shumti përpunojnë tranguj, speca somborkë dhe speca fafaronë, të gjitha të kultivuara në sasi të mëdha nga vetë ata.

“Sekreti i shijes së mirë të turshive tona është në sasinë e përdorur të uthullës dhe përzgjedhjen e kujdesshme të perimeve”, shton Xhevahire Haziri.

Në procesin e përpunimit, përveç Xhevahires dhe nuses së djalit, janë të angazhuara edhe tri punëtore sezonale. Makineritë e fituara përmes organizatave ndërkombëtare ua kanë lehtësuar dukshëm punën.

Djali i saj, Trimor Haziri, kujdeset për kultivimin e perimeve së bashku me babanë.

“Aktualisht kultivojmë perime në rreth një hektar tokë, në hapësira të mbrojtura dhe në fushë të hapur,” tregon Trimori.

Ai shton se ndryshimet klimatike kanë ndikuar disi në rasadin, por në përgjithësi gjendja e bimëve ka qenë e mirë këtë vit. Edhe sëmundjet e perimeve, sipas tij, kanë qenë më të pakta krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa temperaturat e larta të verës kanë rritur nevojën për ujitje të shpeshtë.

“Kemi më shumë problem me mungesën e fuqisë punëtore gjatë vjeljes, sesa në përpunim”, thekson Trimori.

Për nevojat e konservimit, familja Haziri prodhon vetë sasinë e mjaftueshme të specit fafaron, ndërsa për perimet tjera furnizohet edhe nga fermerët përreth. Turshitë e tyre sot shiten në rreth 30 pika të ndryshme tregtare brenda vendit.

“Shitja nuk na ka munguar kurrë. Përkundrazi, kemi më shumë kërkesa sesa sasi për t’i plotësuar”, thotë me krenari Trimori Haziri.

Familja Haziri synon që në të ardhmen, përmes granteve, të zgjerojë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese. Ata kanë aplikuar për mbështetje financiare, por janë refuzuar për shkak të një gabimi teknik në dokumente. Sidoqoftë, nuk dorëzohen.

“Subvencionet duhet të përfshijnë edhe elemente bazike si kavanozat, sepse ato janë pjesë thelbësore e prodhimit,” thekson Xhevahire Haziri.

Ashtu si nëna e tij, edhe Trimori është i bindur se bujqësia është një mundësi e madhe për të ardhmen.

“Të merresh me këtë veprimtari është shumë më e leverdishme sesa të marrësh rrugën e Evropës”, përfundon ai. /Rtk