
Bizneset përfituese nga skemat e granteve nënshkruajnë marrëveshjet sot
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), organizon sot ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve me ndërmarrjet përfituese nga tri skema të granteve: për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese, për certifikimin e produkteve, si dhe për sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).
Në këtë ceremoni, që do të fillojë në orën 09:00, pritet të marrin pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Nënshkrimi i marrëveshjeve me bizneset përfituese do të bëhet nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj, njofton zyra për informim e MINT.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje është mbështetja e ndërmarrjeve vendore, nxitja e inovacionit dhe rritja e konkurrueshmërisë së tyre në treg.