
Murati e mohon: Vendimet për studentët nuk lidhen me zgjedhjet, janë zotime të dhëna që në fillim të vitit
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se masat e miratuara për studentët, duke përfshirë bursën e mobilitetit dhe ndarjen e shumës së menjëhershme prej 100 eurove, nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet e 12 tetorit, por janë zotime të bëra që në fillim të këtij viti.
Murati tha se shpërndarja e mbështetjes është lidhur me nisjen e vitit akademik dhe se masa e tillë është zbatuar edhe më parë.
“Viti akademik fillon këtë muaj; po të kishte filluar më herët, do t’i jepnim më herët. Bursa e mobilitetit është dhënë si premtim që në janar të këtij viti. Ndërlidhja është bërë me vitin akademik. Edhe ndarja e menjëhershme, as kjo nuk është hera e parë që bëhet; së paku në dy vite radhazi ka qenë mbështetje e tillë për të gjithë studentët”, tha Murati. /EO