Kroacia bllokon një tjetër produkt shqiptar, pasta e fëstëkëve me toksina të rrezikshme
Foto: Ilustrim

Kroacia bllokon një tjetër produkt shqiptar, pasta e fëstëkëve me toksina të rrezikshme

Ekonomia October 06, 2025 - 12:31

Kroacia ka bllokuar dhe asgjësuar një ngarkesë me pastë fëstëkësh të ardhur nga Shqipëria, pasi zbuluan një nivel të lartë të një toksine të rrezikshme.

Duke u bazuar në njoftimin zyrtar të RASFF-së, ngarkesa u ndalua në kufi që më 8 shtator, pasi analizat laboratorike konfirmuan tejkalim të ndjeshëm të normave të lejuara të aflatoksinës, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Për pasojë, e gjithë ngarkesa është asgjësuar, ndërsa shtetet e tjera anëtare të BE-së janë njoftuar për të ndërmarrë masa parandaluese, në rast se produkti është shpërndarë edhe në territoret e tyre.

Ky është rasti i dytë brenda pak javësh që një produkt shqiptar ndalohet në kufijtë e BE-së për shkelje të sigurisë ushqimore, duke ngritur shqetësime serioze mbi efektivitetin e kontrollit cilësor dhe sistemeve të certifikimit në Shqipëri.