BQK-ja reagon pas raportimeve për pagën e Guvernatorit: Nuk është rritje, është korrigjim sipas metodologjisë ndërkombëtare
Foto: Laura Hasani

BQK-ja reagon pas raportimeve për pagën e Guvernatorit: Nuk është rritje, është korrigjim sipas metodologjisë ndërkombëtare

Ekonomia October 02, 2025 - 21:32

Pas raportimeve publike se Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i ka rritur vetes pagën nga 4300 në 4792 euro, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka dhënë një reagim zyrtar, duke mohuar se bëhet fjalë për rritje personale të pagës së Guvernatorit dhe duke theksuar se çdo përshtatje është bërë në mënyrë institucionale dhe në përputhje me ligjin.

Në një përgjigje dërguar Lajmi.net, BQK thekson se ky ndryshim “nuk përfaqëson rritje të pagës, por në fakt kompenson pjesërisht fuqinë blerëse të të njëjtës pagë në kohën kur është caktuar (2014)”.

Sipas institucionit, paga e Guvernatorit është pjesë e një skeme të përgjithshme kompensimi e cila është miratuar nga Bordi i BQK-së dhe është e ndërtuar “sipas metodologjisë dhe praktikave ndërkombëtare për bankat qendrore, e dakorduar me FMN”.

“Modeli i pagave dhe kompensimeve të BQK-së bazohet në Ligjin e BQK-së dhe synon të mundësojë rekrutimin dhe mbajtjen e ekspertëve dhe zyrtarëve të kualifikuar,” thuhet në reagimin zyrtar.

BQK sqaron se Guvernatori nuk ka pasur asnjë rol në vendimmarrjen për përshtatjen e pagës së tij, madje nuk ka qenë as pjesë e diskutimeve në Bordin e BQK-së, kur është trajtuar çështja.

“Nuk ka aprovim individual nga Guvernatori për këtë çështje, madje Guvernatori fare nuk ka marrë pjesë në diskutimet e Bordit të BQK-së kur nga ana e tyre është trajtuar nevoja e përshtatjes/korrigjimit paraprak të nivelit të pagës së Guvernatorit.”

Sipas sqarimeve, indeksimi është bërë për të gjithë stafin e BQK-së në mënyrë lineare dhe është pjesë e një modeli të pagave të qëndrueshëm, meritor dhe të drejtë, që mbështet zbatimin e mandatit të Bankës Qendrore.

“Indeksimi/korrigjimi ka qenë linear dhe është aplikuar për të gjithë stafin mbi pagën bazë të njëjtë sipas pozitave, mbi bazën e metodologjisë së dakorduar me FMN-në.”

BQK gjithashtu ka sqaruar se si institucion i pavarur kushtetues nuk është organizatë buxhetore dhe nuk rregullohet nga ligjet e administratës publike.

“BQK ka pavarësi dhe qëndrueshmëri buxhetore dhe nuk është organizatë buxhetore që financohet nga buxheti i shtetit. Kjo është tipike për shumicën absolute të bankave qendrore, përfshirë ato të BE-së dhe rajonit.”

Sa i përket shifrave të përmendura në raportime, BQK thotë se “shifrat e apostrofuara të pagës nuk janë të sakta” dhe thekson se transparenca e plotë në këtë drejtim sigurohet përmes publikimit të Raportit Vjetor, ku detajohen të gjitha kompensimet.

“Shpalosjet e plota të pagave/kompensimeve realizohen në kuadër të Raportit Vjetor dhe deklarohen tek autoritetet përkatëse në baza vjetore.”

Në përfundim, BQK siguron se të gjitha vendimmarrjet e saj janë në përputhje me Ligjin për BQK-në dhe standardet ndërkombëtare të qeverisjes, duke respektuar rekomandimet e FMN-së.

“BQK mbetet plotësisht e fokusuar në zbatimin e mandatit të saj, derisa ju siguron se qeverisja dhe të gjitha aktet e brendshme janë në pajtim me ligjin e BQK-së dhe kornizën e brendshme ligjore, duke respektuar plotësisht parimet e qeverisjes sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”.