Zyrtarët korrektues qe dy muaj pa shtesat në pagë për ndërrimin e natës

Zyrtarët korrektues qe dy muaj pa shtesat në pagë për ndërrimin e natës

Ekonomia October 03, 2025 - 09:30

Zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës ka dy muaj që nuk kanë marrë shtesat në pagë për ndërrimin e natës.

Si shkak i kësaj fajtor po del moskonstituimi i Kuvendit, i cili do të duhej të bënte plotësim-ndryshimet në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, shkruan Zeri.info.

Zyrtarë të SHKK-së ia kanë konfirmuar “Zërit” se tash e dy muaj nuk marrin shtesat për ndërrimin e natës, ndërsa këtë e kanë konfirmuar edhe vetë Institucioni.

Në një përgjigje për “Zërin”, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka treguar arsyet, derisa është zotuar se obligimet e mbetura do të kryhen në mënyrë retroaktive.

“Në këtë vit fiskal nuk ka pasur plotësim-ndryshim të Ligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, SHKK-ja nuk ka pasur mundësi të paraqesë kërkesë për buxhet, pasi lëvizjet në buxhet për këtë kategori mund të bëhen vetëm në tremujorin e fundit të vitit fiskal, për këtë arsye thesari nuk i ka ekzekutuar shtesat për ndërrime të natës”.

“Ne si organizatë buxhetore kemi përgatitur kërkesën për Ministrinë e Financave dhe pas miratimit të transferit, të gjitha obligimet e mbetura për zyrtarët korrektues do të paguhen në mënyrë retroaktive”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Shtesat për ndërrimin e natës për zyrtarët e Shërbimit Korrektues, shkojnë deri rreth 100 euro në muaj. /Zëri