
Kosova pjesë e nismave rajonale për transformim digjital
Transformimi digjital në Ballkanin Perëndimor nuk është me vetëm një kërkesë e kohës, por një domosdoshmëri strategjike në rrugën drejt integrimit evropian.
Kjo ishte edhe një nga mesazhet kryesore të Samitit të Gjashtë Digjital të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues të qeverive nga gjashtë vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën, e cila u përfaqësua nga zv.ministri i në detyrë ekonomisë dhe inovacionit Getoar Mjeku.
Samiti, i organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), po trajton sfidat dhe mundësitë e zhvillimit digjital në rajon, me theks të veçantë në proceset që ndihmojnë afrimin me tregun e vetëm digjital të Bashkimit Evropian.
Një nga hapat më të rëndësishëm të ndërmarrë deri tani, sipas RCC-së, është heqja e tarifave roaming brenda rajonit dhe ulja e ndjeshme e tyre me vendet e BE-së, që tashmë ka dhënë rezultate të prekshme.
“Përdorimi i të dhënave dhe internetit mobil është rritur me 495% vetëm gjashtë muaj pasi prezantuam këtë iniciativë. Ky është një rezultat i madh, sepse është shumë i ndjeshëm për qytetarët dhe bizneset tona”, tha në një konferencë për media Amer Kapetanoviq, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim.
Në samit po diskutohen edhe projekte të reja që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin digjital të rajonit, përfshirë portofolin digjital rajonal, sigurinë kibernetike, zgjerimin e rrjeteve me fibra optike, si dhe mbështetjen për startup-et dhe inovacionin.
“Inovacioni digjital është diçka për të cilën po punojmë shumë, veçanërisht me të rinjtë sipërmarrës dhe startup-et. Duam të krijojmë ndoshta edhe një fond inovacioni për Ballkanin Perëndimor, nga i cili do të financohen idetë e reja dhe startup-et”, shtoi Kapetanoviq.
Përmes këtyre nismave, Ballkani Perëndimor synon të afrohet me standardet digjitale të BE-së, duke përgatitur qytetarët dhe bizneset për një epokë të re teknologjike.
Kjo do t’i mundësojë Kosovës më shumë mundësi për zhvillim ekonomik, inovacion dhe integrim më të shpejtë në tregun evropian.