Nuk pati kuorum, dështon seanca për buxhetin në Prizren

Nuk pati kuorum, dështon seanca për buxhetin në Prizren

Ekonomia September 25, 2025 - 11:48

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e thirrur për të shqyrtuar dhe miratuar propozim-buxhetin e Komunës për vitin 2026, si dhe parashikimet për vitet 2027-2028, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm.

Pavarësisht ftesës së bërë nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Antigona Berisha-Bytyqi, një numër i konsiderueshëm i asamblistëve nuk ishin të pranishëm në sallë, duke pamundësuar zhvillimin e punimeve të seancës.

Në rend dite ishin paraparë edhe shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për subvencionimin e transportit urban në qytet.

Ky është dështimi i dytë radhazi për të shqyrtuar dokumentin e buxhetit, pasi të mërkurën nuk u mbajt as mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), për shkak të mungesës së anëtarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.