
Rahoveci shtyn miratimin e buxhetit komunal për vitin 2026
Ndonëse ishte paraparë të ishte pikë e rendit të ditës, Kuvendi Komunal i Rahovecit e ka tërhequr diskutimin për buxhetin e vitit 2026.
Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, tha se buxheti do të diskutohet pas zgjedhjeve të 12 tetorit.
“Sot është një ditë e veçantë e rendit të ditës që besoj në kushte normale duhet të diskutohet për buxhetin për shkak se është dokument strategjik dhe nuk ndërtohet nga një njeri por bazohet në komunikim dhe bazohet në qarkoren e parë dhe të dytë buxhetore. Aty përcaktohen limitet dhe sa është buxheti, granti i përgjithshëm, granti për arsim, shëndetësi, etj. Nuk është që buxheti hartohet prej një njeriu, diku 15 dëgjime janë mbajtur për planifikim e hershëm të buxhetit. Në këto rrethana unë në cilësinë e kryetarit si propozues i projekt buxhetit po e tërheq këtë rend të ditës, natyrisht me një afat optimal të dobishëm ne përsëri do ta vendosim në rend të ditës, në këtë rast është e drejtë e garantuar me ligj që me një rrethanë të caktuar ta tërheqim nga rendi i ditës. Nuk ka seanca për buxhet para 30 shtatorit. Ka pikë për buxhet pas zgjedhjeve të 12 tetorit”, ka deklaruar Latifi.
Kryetari Latifi ka shpjeguar se buxheti është një dokument strategjik i bazuar në dëgjime publike dhe qarkoret buxhetore.
“Qytetarët e dinë që kryetari nuk e harton vet këtë dokument por ky dokument propozohet nga kryetari i komunës, është e vërtetë që ka edhe projekte të tjera që iniciohen për herë të parë. Ka edhe kode të reja, zhvillimet na tregojnë që të bëhen edhe projekte të reja që duhen bërë. Çdo komunë është caktuar që në shtator të vendoset buxheti, komuna e Rahovecit ka kohë që e voton buxhetin brenda afatit, kjo është shembull i mirë i funksionimit të institucioneve. Nuk po themi që buxheti që e kemi do të mbulojë projektet ekzistuese por ne kemi detyrim ligjor që të mbulojmë kontratat. Ne ende nuk dimë a do të ketë zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme”, shtoi.
Sipas drejtorit për Buxhet dhe Financa të Komunës së Rahovecit, Afrim Limani, buxheti total për vitin 2026 kap vlerën prej 21.5 milionë euro, ku 4.9 milionë janë paraparë për investime kapitale.
“Në qarkoren e dytë buxhetore ka vetëm një ndryshim prej 44 mijë euro, që është zbritur nga pozicioni i pagave, kjo shumë është kaluar në investimet kapitale. Buxheti total i Komunës së Rahovecit është 21 milionë e 547 mijë, ky buxhet shpërndahet në këto kategori: në paga 12 milionë e 454 mijë, në mallra dhe shërbime 2 milionë e 761 mijë, shpenzime 309 mijë, subvencione një milion, ndërsa investime kapitale janë 4 milionë e 942 mijë. Ky rezultat ka ardhur nga zvogëlimi i popullsisë. Ne e kemi përgatitur edhe listën e investimeve kapitale, është bërë si rezultat i kërkesave të qytetarëve të Komunës së Rahovecit. Lista e projekteve kapitale ka 45 projekte kapitale, dhe kemi edhe shtatë projekte të reja që shumica kanë qenë në planin e planifikimit”, shtoi ai. /eo