Azemi paralajmëron: Sindikata pas zgjedhjeve do të kërkojë pagë minimale prej 600 eurove
Foto: Zëri / Ilustrim

Azemi paralajmëron: Sindikata pas zgjedhjeve do të kërkojë pagë minimale prej 600 eurove

Ekonomia September 22, 2025 - 08:17

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se paga minimale prej 350 eurove është e pamjaftueshme.

Ai tha se me këtë pagë nuk mund të mbijetohet.

“Kjo pagë nuk mund t’i mbulojë kërkesat e vetëm të një personi, pasi me një pagë 320 – 330 euro nuk mund të mbijetohet”, tha ai.

Azemi ka bërë të ditur se deri pas 12 tetorit Sindikata nuk do të ndërmarrë veprime protestuese, pavarësisht pakënaqësive me pagën minimale.

“Deri me 12 tetor e kemi shpallë si ‘muajin e heshtjes’, sepse nuk dëshirojmë të bëjmë presione, me protesta dhe greva edhe pse kemi arsye, megjithatë nuk kemi dashtë të bëhemi të pa sinqertë”, tha Azemi për Fron Online.

Ai shtoi se me përfundimin e zgjedhjeve lokale, të gjitha institucionet në tavolinë do të kenë kërkesat e Sindikatës.

“Me përfundimin e zgjedhjeve lokale, të gjitha institucionet në tavolinë do të kenë kërkesat tona që paga minimale së paku duhet të jetë 600 euro”, shtoi ai.