Prokuroria për Mujkën e Muzliukën: Pronën e propozuar për këmbim e paraqitën si komunale, ndonëse e dinin që s’ishte e tillë

Prokuroria për Mujkën e Muzliukën: Pronën e propozuar për këmbim e paraqitën si komunale, ndonëse e dinin që s’ishte e tillë

Ekonomia September 18, 2025 - 09:53

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, të cilët akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Mujka ngarkohet edhe për “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.

Çka thuhet në pikë e parë të aktakuzës?

Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe Hysen Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tretë dhe në dëm të pronës publike.

Fillimisht, thuhet se Mujka më 25 prill 2021, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Muzliukaj në pozitën e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, i paraqesin Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme me lokacion në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë (ndërtesë e ish-Bankosit).

Në aktakuzë thuhet se sipërfaqja e palujatshmërisë ishte 139 metra katror nga sipërfaqja e përgjithshme prej 631 metra katror, të cilën e kishin paraqitur kinse si pronë të Komunës, për këmbim me parcelën me sipërfaqe të përgjithshme prej 102 metra katror në pronësi të personit fizik Besarta Isufi në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj e kishin ditur se prona e tillë nuk ishte pronë komunale dhe se ekziston proces gjyqësor me padi të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë, dhe duke qenë në dijeni se Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy herë vendim për shpallje me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit ku ndodhej prona në fjalë, më 30 gusht 2012 dhe 23 shkurt 2017, në bazë të së cilit ishte kërkuar nga Bordi i AKP-së që lidhur me pronën e ish-Bankosit t’u bartej e drejta e shfrytëzimit meqenëse prona nuk ishte në pronësi të Komunës.

Aktakuza thotë se dy të akuzuarit kishin vepruar në dëm të interesi publik dhe në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe Rregullores për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së Komunës. E që në bazë të këtyre, sipas aktakuzës, ndalohet dhënia në shfrytëzim dhe këmbim i pronës me pronë private.

Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se i shkaktuan dëm të konsiderueshëm APK-së, në vlerën e objektit të tjetërsuar/këmbyer, që ishte llogaritur të jetë 125 mijë e 100 euro.

Andaj për këto veprime, Mujka dhe Muzliukaj po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” e paraparë me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Për çka akuzohet në pikën e dytë të aktakuzës Mujka?

Në aktakuzë thuhet se Faruk Mujka në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, i cili sipas Ligjit aktual për deklarim, prejardhje dhe kontroll të pasurisë dhe dhuratave ishte i detyruar të bënte deklarimin e pasurisë, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, pasi nga data e pavërtetuar e deri më 15 korrik 2023, në shtëpinë e tij kishte poseduar shumën prej 60 mijë e 50 euro, shumë kjo e gjetur dhe sekuestruar gjatë zbatimit të urdhërkontrollit të Gjykatës në shtëpinë e tij në Mitrovicë.

Këtë shumë, sipas aktakuzës, Mujka nuk e kishte paraqitur në formularin për deklarimin e pasurisë së vitit paraprak në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit edhe pse ishte i obliguar sipas ligjit dhe se e ka ditur se në deklaratë duhet të paraqiten edhe shumat kesh.

Andaj për këto veprime, Mujka po ngarkohet me veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare” nga Neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi