Rama padit Ministrinë e Financave: 35 milionë euro të bllokuara politikisht ndaj Prishtinës
Foto: Laura Hasani

Rama padit Ministrinë e Financave: 35 milionë euro të bllokuara politikisht ndaj Prishtinës

Ekonomia September 05, 2025 - 10:30

Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë-padi kundër Ministrisë së Financave, për, siç thanë ata, cenimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Pas dorëzimit të kërkesës, Rama e ka akuzuar Ministrinë dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj kryeqytetit.

“Kjo qeverisje vetëm bllokada ka bërë për çështje puro politike, ky ministër e ka bllokuar procesin kur e kanë parë që si kryeqytet po transferohemi. Kanë parë zhvillim dhe si rezultat kanë marrë masa të tjera ilegale. Ato fonde janë tonat dhe të taksapaguesve të kryeqytetit. Ne kemi përgatitur padi të tjera për ministra të tjerë”, është shprehur Rama.

Rama theksoi se bëhet fjalë për 35 milionë euro, mjete që sipas tij i takojnë ligjërisht kryeqytetit.

“Fondet të cilat me ligj i takojnë kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro, të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin”, shtoi Rama.

Manaj ka thënë Ministria për 9 muaj e ka bllokuar buxhetin e Komunës.

“Siç jeni në dijeni, tash e nëntë muaj kjo ministri e ka bllokuar buxhetin për Komunën e Prishtinës. Në argumentin tonë, kjo përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës, sepse cenohet buxheti, por edhe jeta e qytetarëve. Kjo është bllokadë puro politike”, tha Manaj.