Domatja e egër, e lehtë për t’u kultivuar dhe me fitim të lartë

Domatja e egër, e lehtë për t’u kultivuar dhe me fitim të lartë

Ekonomia September 04, 2025 - 08:07

Domatja e egër po shihet si një kulturë fitimprurëse për bujqit kosovarë. Ekspertët bujqësorë theksojnë se, krahas kërkesave të ulëta për përkujdesje, kjo domate mund të japë deri në 8 kilogramë rendiment për bimë, duke u dalluar edhe për rezistencën ndaj sëmundjeve dhe shijen e saj të veçantë.

Ruzhdi Krasniqi, kultivues i domates dhe perimeve të tjera në Krushë të Madhe, këtë vit ka testuar një varietet të ri në fushë, i cili ka dhënë rezultate shumë të mira. Përparësia kryesore e këtij varieteti, siç thotë ai, është puna e paktë që kërkon.

Në Krushë të Madhe, Krasniqi kultivon rreth 4 hektarë me perime, ndërsa këtë vit, për testim, me këtë varietet ka mbjellë 25 ari tokë.

“Domatja e egër është e qëndrueshme ndaj sëmundjeve dhe insekteve. Gjithashtu, gjethet e shumta, në formë shkurresh, e mbrojnë frutin nga nxehtësia e madhe dhe i japin elemente që e bëjnë më të shijshëm”, tregon për RTK, Ruzhdi Krasniqi.

Ai shton se nuk ka pasur problem as me shitjen, pasi çmimi i domates këtë vit ka qenë i favorshëm. Gjithashtu, Krasniqi shprehet i kënaqur edhe me subvencionet.

Ky varietet ka filluar të kultivohet edhe nga Nexhat Morina, kultivues i domates, kryesisht në ambiente të mbrojtura, në Mamushë. Për herë të parë pas luftës, ai e ka mbjellë këtë lloj domateje në fushë të hapur dhe rezultatet, sipas tij, kanë qenë shumë të mira.

“Ky varietet i domates së fushës, përveç rendimentit të lartë dhe cilësisë së mirë, ka edhe qëndrueshmëri të lartë ndaj sëmundjeve”, thotë Nexhat Morina, kryetar i Shoqatës së Bujqve në Mamushë.

Sipas tij, as tregtimi i këtij varieteti nuk është problem, për shkak të shijes së mirë që ka, ndërsa çmimi pritet të mbetet i favorshëm. Përparësi e kultivimit në fushë të hapur janë shpenzimet e ulëta agroteknike.

“Vitin e ardhshëm, unë dhe fermerët e tjerë do të zgjerojmë hapësirat me këtë lloj domateje, pasi prodhimi i saj plotëson ciklin e tregtimit në kohën kur përfundon domatja e kultivuar në ambiente të mbrojtura”, thekson Morina.

Karakteristikat pozitive të këtij varieteti i shpjegon më gjerësisht agronomi Berat Gërguri.

Ai vlerëson se, krahas rendimentit të lartë, përparësi e domates është fakti që nuk ka nevojë për mbështetje me drunj, siç ndodh me varietetet tjera.

“Në trevat tona, rendimenti i kësaj domate të fushës e ka tejkaluar shifrën 8 kilogramë për bimë. Veçoria e saj është edhe shija e mirë”, thotë Berat Gërguri, agronom i kompanisë “Manier”.

Sipas tij, shija e mirë e bën këtë varietet tejet atraktiv për tregun vendor. Gërguri thekson gjithashtu edhe qëndrueshmërinë e lartë ndaj sëmundjeve dhe përparësinë e formës së shkurreve që mbron frutin.

Edhe agronomi dhe këshilluesi i fermerëve, Qamil Cena, nënvizon të mirat e kultivimit të domates së fushës.

“Për të arritur shijen e dikurshme të domates, krahas farës cilësore, preferohet që domatja e egër të mbillet në vise kodrinore-malore. Kultivimi i saj në ambiente të mbrojtura është rritur për shkak të kërkesave të larta, por shija dhe cilësia më e mirë arrihet në fushë të hapur.” thotë agronomi dhe këshilluesi i fermerëve, Qamil Cena.

Sa i përket shpenzimeve dhe fitimit, Cena shpjegon se trendet aktuale favorizojnë kultivimin në ambiente të mbrojtura, ndërsa cilësia e lartë dhe shija arrihen më shumë në fushë.

Ai shton se domatet e fushës kanë predispozitë të preken më tepër nga sëmundjet dhe dëmtuesit, por seleksionimi i farave ka bërë që ky varietet të jetë shumë rezistent.

Një tjetër përparësi e kësaj domateje është edhe kërkesa e ulët për ujë, gjë që e bën një kulturë ideale për kultivim në zonat kodrinoro-malore.