
ZKA: Gabime të mëdha financiare dhe zbatim i ulët i rekomandimeve
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka prezantuar të mërkurën rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2024 në një konferencë për media, të udhëhequr nga auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe zëvendës-auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj.
Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2024 është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Sipas Spancës, raporti përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2024 dhe përmbledhjen e rezultateve të sezonit auditues 2024/2025.
Ajo bëri të ditur se për këtë raport është dhënë opinion i kualifikuar, për shkak të gabimeve materiale në disa komponentë të pasqyrave financiare, të cilat kanë ndikuar në besueshmërinë e informacionit financiar.
Ndër çështjet kryesore që kanë ndikuar në opinionin e kualifikuar janë: klasifikimi jo i duhur i shpenzimeve në vlerë prej 35 milionë euro, mbivlerësimi i pasurive në organizatat buxhetore në shumën afër 27 milionë euro, nënvlerësimi i llogarive të arkëtueshme për rreth 900 mijë euro, nënvlerësimi i detyrimeve të papaguara për afër 2 milionë euro, si dhe mbivlerësimi i detyrimeve kontingjente nga paditë gjyqësore në vlerë afër 4.3 milionë euro.
Auditorja theksoi se ZKA ka realizuar me sukses Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025, duke përfunduar gjithsej 127 auditime, përfshirë 87 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 9 auditime për ndërmarrjet publike, 12 auditime të performancës, 12 auditime të pajtueshmërisë (3 prej tyre me informacion të klasifikuar), si dhe 7 auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore. Në bazë të këtyre auditimeve janë dhënë 945 rekomandime, ndërsa niveli i zbatimit mbetet i ulët, vetëm 37%, çka tregon për regres në përmirësimin e praktikave institucionale.
Zëvendës auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi detajet e nëntë auditimeve të performancës, duke theksuar katër fusha me rëndësi: menaxhimi i hapësirave pyjore, administrimi i Fondit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, funksionimi i platformës digjitale e-Kosova, dhe efikasiteti i Sistemit të Tatimit në Pronë.
Gjithashtu, Halilaj informoi për rastet e identifikuara me elemente të dyshimit për shkelje ligjore, të cilat janë adresuar në Prokurorinë e Shtetit. Nga gjithsej 103 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, janë evidentuar 69 raste me elemente të dyshimit për shkelje dhe parregullsi, të cilat përfshijnë: 37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje, si dhe 1 rast në të hyrat. Nga këto raste, 47 vijnë nga komunat, 12 nga ministritë, 7 nga ndërmarrjet publike, dhe 3 nga institucione të tjera.
ZKA, përmes këtij raporti, ka theksuar nevojën urgjente për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe rritjen e përgjegjshmërisë institucionale në zbatimin e rekomandimeve të auditimit.