
Hapet pika grumbulluese në Anamoravë, mundësi për eksport të frutave
Në rajonin e Anamoravës, inaugurimi i një pike grumbulluese për fruta të imëta pritet të krijojë mundësi që bujqit të gjenerojnë të hyra me prodhime bio.
Pos që mbesin të preferuara, grumbulluesit thonë se kjo është një mundësi e mirë për të eksportuar prodhime vendore në tregjet ndërkombëtare, falë cilësisë së lartë.
Ndërsa natyra dhuron, fermerët tash kanë mundësinë e kultivimit dhe grumbullimit të frutave të imëta. Për shumë familje ato janë burimi i të ardhurave reale për zhvillim ekonomik. Përballja me tregun është sfidë që do të lehtësohet me hapjen e pikës grumbulluese, aty ku fermerë mundin e kthejnë në fitim dhe natyrën në pasuri.
“Një mundësi për fermerët që kanë hapësirë të vogël te shtëpia, edhe ata që punojnë gjatë orarit të ditës mundin në mbrëmje pesë ari, dhjetë ari, të bëjnë një punë shtesë, një fitim shtesë dhe një produkt shtesë për neve mas pari e pse jo edhe mos të eksportohet jashtë”, tha Ahmet Govori, fermer.
“Sot jemi duke u numëruar në vendin e shtatë në Evropë dhe mendoj që mbi 200 milion euro eksportohen produkte nga Kosova, që ato vijnë para në Kosovë dhe kjo është një rezultat i të mbrimeve dhe është rezultat i organizimit të shoqatës organike dhe duke mos i anashkaluar edhe ministritë dhe organizatat tjera që kanë dhënë kontribut”, tha Fatmir Krasniqi, kultivues i kërpudhave.
Pa pika grumbulluese nuk mund të kemi sipërfaqe të shtuara dhe prodhim, ndërsa hapja e tyre është domethënëse, thotë Kujtim Shulemaja.
Ne do të kemi stimulim të fermerëve të zonës që të mbjellin mjedër për arsye se mjedra si kulturë ka bërë fitime të mëdha sidomos të këtij viti sepse çmimet janë relativisht të larta dhe fermeri deponon në pikë grumbulluese mbi 3.5 euro, eksporti është mbi 5.5 për kilogramë.
“118 mijë euro ka qenë projekti që e kemi implementuar për shtatë hektarë me përfitues për mjedër dhe boronicë... për gjithë këta kemi siguruar fidanët, gjeotekstilin etj. Pra ka qenë 100% investim i komunës”, tha Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit.
Qytetarë të Anamoravës përmes kultivimit dhe grumbullimit të bimëve të imëta do të mund të krijojnë të hyra me tregtimin e tyre në tregun e brendshëm dhe eksport. /rtk