Turqia synon rritjen e investimeve në Kosovë dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike të përbashkët
Foto: Laura Hasani

Turqia synon rritjen e investimeve në Kosovë dhe krijimin e një zone të lirë ekonomike të përbashkët

Ekonomia August 27, 2025 - 11:54

Ambasadori turk në Kosovë, Tunç Angili, ka bërë të ditur se investimet turke në Kosovë tashmë kapin mbi 500 milionë euro dhe gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune, ndërsa tregtia dypalëshe afrohet në 1 miliard euro.

Në një intervistë për Telegrafin, Angili tha se Turqia synon ta bëjë bashkëpunimin ekonomik më të balancuar përmes projekteve të përbashkëta, duke përfshirë edhe idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike në Kosovë, ku investitorët turq do të prodhonin për tregun e BE-së, Ballkanin dhe SHBA-të.

“Aktualisht kemi mbi 500 milionë euro investime turke në Kosovë, të cilat gjenerojnë mbi 10 mijë vende pune. Tregtia dypalëshe arrin rreth 1 miliard euro. Por duam ta bëjmë më të balancuar përmes projekteve të përbashkëta investive. Vitin e kaluar u mbajt forumi i parë ekonomik Kosovë–Turqi në Stamboll, me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe ministrit tonë të tregtisë. Duam që edicioni i dytë të mbahet këtë herë në Prishtinë, për të krijuar një kornizë institucionale të bashkëpunimit mes bizneseve”, deklaroi ambasadori.

Ai theksoi se vitin e kaluar Kosova dhe Turqia nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim ekonomik, dhe se një nga idetë kryesore është zona e lirë ekonomike e përbashkët, e cila do të mundësonte prodhimin për eksport në tregjet ndërkombëtare.

“Mendoj se ekonomia e Kosovës është e fortë në shërbime, sektori bankar funksionon mirë, përdoret euroja dhe ka stabilitet financiar. Por prodhimi dhe industria janë ende të ulëta. Aktualisht ekonomia mbahet gjallë kryesisht nga remitancat e diasporës. Por kur të vijë gjenerata e tretë apo e katërt në Zvicër e Gjermani, ato remitanca do të pakësohen – siç ndodhi me Turqinë në vitet ’80. Pra, duhet shfrytëzuar kjo periudhë për të investuar në prodhim, jo vetëm në ndërtim. Dhe Turqia mund të jetë partnere e shkëlqyer, sepse kemi përvojë dhe dije në industri”, shtoi Angili.