
Turizmi i surprizave në Mal të Zi – Rezervon një vend, fle diku tjetër
“Ky lloj turizmi mund të reklamohet si një lojë surprizash - rezervoni dhe pastaj hamendësoni se ku do të flini”.
Kështu e përshkruan Milloshi nga Podgorica përvojën e tij me akomodimin në Zhablak - një qytet i vogël në veri të Malit të Zi.
Por, në fakt, disa familje me të cilat bisedoi Radio Evropa e Lirë, kishin probleme këtë sezon, sepse akomodimi i rezervuar nuk ishte në dispozicion.
Në vend të shtëpisë apo apartamentit të dakorduar, pronarët i kanë ridrejtuar në një objekt tjetër, gjë që, sipas tyre, ka qenë e papranueshme.
Organizata Turistike në Zhablak thotë se është në dijeni të problemit dhe e justifikon atë me rezervimet e shumta.
Përkundër kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, Ministria e Turizmit në këtë vend nuk u përgjigj.
Përndryshe, turizmi është sektori kryesor ekonomik në Mal të Zi dhe përbën rreth 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Zhablaku është qyteti më i vizituar në veri të Malit të Zi si në verë, ashtu edhe në dimër.
Vitin e kaluar, atë e vizituan gati 24 mijë turistë.
Në vend të shtëpisë së rezervuar, një zgjidhje tjetër
Një çift nga Podgorica e rezervoi akomodimin në një vilë në Zhablak në muajin korrik.
Reklamën e panë në Instagram. Kur morën konfirmimin se vila ishte e disponueshme në një kohë që u përshtatej, ata nuk kishin asnjë dilemë se ku t'i kalonin pushimet e gushtit, bashkë me tre fëmijët.
Megjithatë, kur mbërritën në destinacion, pronarja u tha se nuk do të akomodoheshin në shtëpinë që kishin rezervuar.
“Ne u përballëm me një fakt të kryer dhe nuk kishim zgjidhje tjetër, veçse ta pranonim. Akomodimi nuk ishte i keq, por isha e zemëruar”, rrëfen Zhana nga Podgorica për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se pronari i ri u përpoq, po ashtu, t’u merrte më shumë para sesa duhej.
“Çmimit që pronarja kishte vendosur për këtë akomodim, ai ia shtoi 20 euro në ditë, por ne e kundërshtuam këtë përpjekje të turpshme”, thotë ajo.
Me situatë të ngjashme u përball edhe bashkëvendësi i saj, Milloshi.
“Arritëm në akomodimin ku kishim qëndruar vitin e kaluar, por pronarja kërkoi falje dhe tha: ‘Nuk u kuptuam. Sapo ju dërgova lokacionin, sepse nuk jeni në këtë shtëpi, por te tezja ime, dy kilometra më larg’”, tregon Milloshi.
Me dy fëmijë, në mbrëmje, ai thotë se nuk kishte shumë zgjedhje.
“Ajo shtëpi ishte e bukur, por mënyra se si na pritën, ishte e papranueshme. Dhe ky nuk është një përjashtim - është praktikë”, sipas tij.
Një bashkëbisedues i Radios Evropa e Lirë, që ka informacione për tregun në Mal të Zi, thotë se rastet e tilla nuk e habitin.
“Rezervimet e dyfishta janë të zakonshme, sepse nikoqiri mund të gjejë një mysafir për më shumë ditë, ose për një çmim më të mirë, dhe ta zhvendosë tjetrin te fqinji”, thotë ai.
Për të, kjo është pasojë e zhvillimit të pakontrolluar të turizmit dhe faktit se pothuajse kushdo që “ka një dhomë”, mund ta japë me qira.
Problemi është i njohur për autoritetet
Në Organizatën Turistike të Zhablakut thonë për Radion Evropa e Lirë se rastet e tilla janë shpesh rezultat i rezervimeve të tepërta.
“Shumica e ofruesve të akomodimit e reklamojnë atë në platforma të shumëfishta. Nëse kalendarët nuk përditësohen rregullisht, ndodhin rezervime të dyfishta”, thotë Stojan Abazoviq, drejtor i Organizatës Turistike të Zhablakut.
Ky problem, sipas tij, ekziston kudo në botë.
Ai thotë se në një përqindje të caktuar rastesh, akomodimi alternativ është më i keq se ai i rezervuar - gjë që ndikon negativisht në përvojën e mysafirit.
“Mysafirët kanë mundësi ta vlerësojnë mikpritësin dhe ky është një mekanizëm mbrojtës që duhet të shfrytëzohet”, thotë Abazoviq.
Inspektorati turistik dhe Ministria e Turizmit nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë temë.
Biznes i njëjtë edhe në bregdet
Praktika nuk është “e rezervuar” vetëm në veriun e Malit të Zi.
Edhe në Ulqin, siç pohon banorja e qytetit, Lina, është praktikë që kur akomodimi mbushet, turistët të ridrejtohen te fqinjët, me shpjegimin se ka ndodhur një gabim.
“Përballë shtëpisë sime është një hostel që zakonisht pranon turistë të huaj. Kur mbushet, i dërgon kudo në afërsi, te kushdo që ka vend të lirë. Për ne kjo është si një ‘mirëdita’”, thotë Lina.
Megjithatë, nga Organizata Turistike e Ulqinit thonë se nuk kanë marrë ankesa zyrtare për raste të tilla.
“Një praktikë e tillë, nëse ndodh, nuk është në përputhje me rregullat e veprimtarisë turistike dhe mund të dëmtojë reputacionin e destinacionit dhe besimin e turistëve”, thonë nga kjo organizatë.
Ata shtojnë se nuk kanë kompetenca inspektuese, por u sugjerojnë turistëve që të ankohen tek inspektorati përgjegjës dhe Ministria e Turizmit.
Dëm për turistët dhe për destinacionin
Branka Samarxhiq, nga Shoqata e Akomodimit Privat në Mal të Zi, konfirmon se fenomeni i ridrejtimit të turistëve pa paralajmërim, po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.
“Është një praktikë e keqe që shkakton dëme. Më shpesh bëhet fjalë për akomodime të paregjistruara, që veprojnë jashtë ligjit dhe pa kontroll të cilësisë. Në këto raste, mysafirët nuk kanë mbrojtje dhe mikpritësit nuk mbajnë përgjegjësi”, thotë ajo.
Sipas të dhënave qeveritare, 86 milionë euro humbasin çdo vit si pasojë e akomodimit të paregjistruar.
Samarxhiq thotë se mikpritësit e regjistruar paguajnë taksa dhe janë të detyruar t’i zbatojnë kushtet e rezervimit.
“Nëse lind një problem, gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët është e detyrueshme”, thotë Samarxhiq për Radion Evropa e Lirë.
Edhe hotelet
Ridrejtimi i turistëve, megjithatë, nuk ndodh vetëm në akomodime private, por edhe në hotele luksoze.
Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë Novaku nga një agjenci udhëtimesh.
“Solla një grup, rregullova akomodimin në një hotel luksoz në Budvë. Pak para regjistrimit, na thanë se hoteli është i mbipopulluar dhe mysafirët i transferuan në hotelin tjetër. Në mes të sezonit nuk ke zgjidhje tjetër veçse të pranosh”, thotë ai, duke shtuar se turistët ishin të pakënaqur.
“Kjo ndikon drejtpërdrejt në punën tonë, sepse klientët na kërkojnë kompensim, kështu që ne i kthejmë paratë”, thotë Novaku.
Asnjë siguri për “akomodimin e egër”
Kur rezervimet bëhen përmes platformave zyrtare, siç është Booking, ose faqja e internetit e hotelit, mysafirët kanë të drejtë të ankohen, të kërkojnë kompensim ose akomodim të ri.
Në rast të rezervimit direkt me mikpritësin e paregjistruar, këto nuk mund të kërkohen.
Radio Evropa e Lirë pyeti Booking-un - platformën më të njohur për rezervimin e akomodimeve - nëse ka pranuar ndonjë ankesë kundër kësaj praktike në Mal të Zi, por nuk mori përgjigje.