
Lidhja e bizneseve: Kompanitë vendore bllokohen, ndërkohë që Kosova importon zhavorr nga Serbia
Shoqata e Gurthyeve dhe Betonjerkave, pjesë e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka ngritur alarmin për gjendjen kritike të sektorit minerar në vend.
Sipas saj, më shumë se 100 kompani të licencuara po mbahen të bllokuara, ndërsa investime milionëshe dhe qindra vende pune janë në rrezik falimentimi.
Shoqata thekson se shkaktarët e kësaj gjendjeje janë:
Mosfunksionimi i bordeve dhe departamenteve përkatëse;
Ligjet e pakoordinuara ndërmjet institucioneve;
Bllokimi i mbi 100 kompanive të licencuara sipas ligjit të ri të vitit 2023;
Qindra lëndë të mbetura pa trajtim në Bordin e Minierave;
Vonesat e pajustifikuara nga institucionet;
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, që po pengon prodhimin.
Në të njëjtën kohë, Kosova po importon sasi të mëdha zhavorri nga Serbia, ndërsa kompanitë vendore mbahen të bllokuara, gjë që dëmton industrinë vendore dhe rrezikon stabilitetin e sektorit ndërtimor, të hyrat e shtetit dhe vendet e punës.
Shoqata ka bërë thirrje të qartë për institucionet:
Formoni institucionet pa vonesa!
Harmonizoni ligjet dhe ndalni bllokadat!
Jepni mbështetje sektorit vendor për të shpëtuar vendet e punës dhe ekonominë e vendit!
Sipas Shoqatës, nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme, pasojat për industrinë minerare dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës do të jenë të pariparueshme