ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, detyrim ligjor që nga viti 2016
Foto: Laura Hasani

ZRRE: Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, detyrim ligjor që nga viti 2016

Ekonomia August 20, 2025 - 09:51

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një sqarimi, thotë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016.

Në atë kohë Kuvendi i Kosovës në ligjet e sektorit të energjisë ka transpozuar direktivat evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike.

“Pra, procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në ligjet e sektorit të energjisë derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë”.

“Duhet theksuar se nga viti 2017, ZRRE ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial”, thuhet në sqarimin e ZRRE-së.

Sipas tyre, zbatimi i këtij ligji është shtyrë si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.

“Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRRE-ja ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, thotë ZRRE-ja.

ZRRE ka treguar se ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike.

Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.

“Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre:

· 9.212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale;

· 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues.

Duhet theksuar se edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë”,

“Për të lehtësuar kalimin e konsumatorëve që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, ZRRE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energji Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë Fundit (FMF), dhe këta konsumator që deri më 1 Qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale, janë furnizuar përmes FMF për një periudhë gjashtëdhjetëditore”.

ZRRE-ja tutje njofton se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta.

“ZRRE-ja do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”.

“ZRRE-ja mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane”, thuhet në fund të sqarimit nga ZRRE-ja. /Zëri